Sociale

Sot Dita Botërore e Medias, ambasadorja amerikane Yuri Kim: Jepini pavarësi gazetarëve!

Në ditën botërore të shtypit, përfaqësuesja diplomatike e Uashingtonit në Shqipëri, Yuri Kim bën thirrje për liri të medias dhe gazetarëve në vendin tonë.

Gjatë një takimi me gazetarë, ambasadorja amerikane thotë se punonjësit e medias duhet të lihen të pavarur në hulumtimet e tyre për të sjellë të vërtetën te publiku dhe për të luftuar korrupsionin dhe despotizimin të njerëzit me petkun e pushtetit.

“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Shtetet e Bashkuara ritheksojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për gazetarët e pavarur të cilët përpiqen të zbulojnë dhe të përcjellin të vërtetën, të luajnë rolin e tyre mbikëqyrës në një mënyrë të përgjegjshme dhe të punojnë në një mjedis pa përndjekje, frikësime dhe vetëcensurë. Javën e kaluar, Ambasadorja Yuri Kim u takua me gazetarët Edmond Hoxhaj (BIRN Albania) dhe Isa Myzyraj (Ora News) për të shprehur mbështetjen e palëkundur për gazetarët e pavarur dhe për të dënuar sulmet direkte dhe indirekte ndaj gazetarëve të cilët kërkojnë të raportojnë në mënyrë të pavarur dhe të saktë. Që lufta kundër korrupsionit të ketë sukses dhe pandëshkueshmëria të përfundojë, roli që ka një media e fortë dhe e pavarur është parësor”, shkruhet në deklaratën e ambasadës së SHBA në Tiranë.

Më herët, Gazetarë pa Kufij publikuan raportin vjetor për 180 vende të botës, mes tyre edhe Shqipëria. Organizata Gazetarët pa Kufij, në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit, radhiti Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve problematike.

Por, sipas treguesit që u publikua sot, Shqipëria ka shënuar rënie, ndërsa Kosova ka shënuar përparim krahasuar me raportin e vitit të kaluar.

Treguesi i klasifikon vendet në mjedise “të mira”, “pak a shumë të mira”, “problematike”, “të këqija” ose “shumë të këqija”, për lirinë e shtypit.

Në treguesin që përfshinë 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin 103-të duke shënuar një rënie prej 20 vendesh krahasuar me vitin paraprak kur renditej në vendin e 83-të.

Nga rajoni, Maqedonia e Veriut ka shënuar përparim me 33 vende, si edhe Serbia që pozicionohet e 79-ta. Organizata Gazetarë pa Kufij vlerëson se demokracitë po dobësohen nga asimetria midis shoqërive të hapura dhe regjimeve despotike që kontrollojnë mediat dhe platformat e tyre online.