Aktualitet

Sot ekstradimi i parë nga Dubai në Shqipëri/I ekstraduari në kërkim për mashtrim!

Në kërkim nga SPAK-u për mashtrim në bashkëpunim me 16 persona të tjerë, shtetasi Bruno Çobo deportohet sot nga Dubai, duke shënuar ekstradimin e parë mes këtij vendi arab dhe Shqipërisë. Akuzat janë për veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në dëm të disa personave në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Grupi ku ai bënte pjesë operonte përmes një Call Center-i në Tiranë dhe kontaktonte qytetarë në Itali. Nëpërmjet telefonit, atyre iu propozohej blerja online e aksioneve “Amazon”, me premtimin e rremë të fitimit të shumave të majme dhe të shpejta.

Në momentin kur klienti në dijeni pranonte nënshkrimin e investimeve, atij i dërgohej një e-mail që përmbante një link që të lidheshin për të filluar blerjen e titujve.

Sipas udhëzimeve të telefonuesit, viktima duhej të shkarkonte  aplikacionin “AnyDesk”, duke e lejuar që të futej si i jashtëm në kompjuterin e tij e të merrte kodet e sigurisë të bankës dhe më pas, në numrat e llogarive bankare.

Në datën 21 korrik të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj shtetasve Bruno Çobo, Aldo Pasku, Bruno Gjika, Gjin Shelnishta, Hamit Dobi, Erion Kastrati, Mojsi Zuna, Florjan Bregu, Orland Cani, si dhe masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetaseve Rezarta Ibrahimi, Antoneta (Malo) Pepkolaj, Olta Toçi, Greta Pepa e Silvana Veliu.

Në një tjetër zhvillim, një 17-vjeçar u arrestua pasi u kap me një sasi farash kanabisi në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik në çantën e tij, adoleshentit nga Durrësi iu gjetën 4 mijë fara, me qëllim shitjen e tyre.

Po ashtu, dyshohet se farat atij i kishin ardhur nga jashtë vendit dhe udhëtoi me autobus nga Durrësi në Tiranë për t’i shitur me çmimin 1.3 euro një copë. I riu u prangos menjëherë sa mbërriti në Tiranë, ndërsa po hetohet për personat me të cilët ai ka komunikuar për t’i shitur.

Rezulton se 17-vjeçari ishte nxënës në një nga gjimnazet e qytetit bregdetar të Durrësit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.