Aktualitet

Sot mbërrijnë në atdhe 5 të liruarit nga kampi Al Hol

Pas rreth 4 orësh, në Shqipëri ulet avioni i Air Albania-s, i nisur nga aeroporti i kryeqytetit libanez, Bejrut me 5 të liruarit nga kampi kurdo-sirian Al Hol. Në bordin e tij janë Endri Dumani, babai i të cilit u vra gjatë luftimeve në Siri, si luftëtar i ISIS-it, si dhe 4 pjesëtarë të familjes Rasha: Amar, Emel e Hatixhe, me nënën e tyre Floresha, e cila është në karrocë me rrota. Kryefamiljari gjithashtu u vra kur luftonte në krah të Shtetit Islamik. Me lirimin e tyre u përmbyll me sukses faza e parë e një operacioni kompleks që u realizua falë ndërmjetësimit të forcave libaneze të sigurisë.

Kryeministri Rama ishte në Bejrut ku falenderoi këto forca për rolin e tyre. Në fazën e dytë pritet të ketë të tjerë fëmijë të liruar, ndërsa Endri Dumani gjendej aty me motrën por që nuk është mes të kthyerve.

Reagimi i Ramës:

Beirut – Me Gjeneralin Abass përpara kthimit në atdhe bashkë me fëmijët, për ta falenderuar për ndihmën e tij të paçmueshme, si edhe për të konfirmuar sy më sy vijimin e operacionit për kthimin e fëmijëve të tjerë🙏