Aktualitet

SPAK po monitoron hetimin, Altin Dumani flet për sulmin ndaj Top Channel!

Gjatë takimit të përmuajshëm off record me gazetarët e drejtësisë, kryeprokurori i posaçëm, Altin Dumani foli për sulmin e armatosur ndaj Top Channel, ndërsa hetimet po i monitoron SPAK-u. Sipas tij, “deri më tani kjo çështje i takon Prokurorisë së Tiranës për t’u hetuar”.

Që në orët e para të mëngjesit kontaktova në telefon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. I ofrova mbështetjen e plotë të Strukturës së Posaçme. Më tha se po kryheshin veprimet e para hetimore. Në analizën e bërë në Drejtorinë e Policisë vendosa të dërgoj një prokuror dhe oficer të Policisë Gjyqësore. Megjithëse është çështje në kompetencë të Prokurorisë së Tiranës, edhe ne jemi aty, po bëjmë veprimet tona. Nëse del diçka do të kemi veprime.

Para gazetarëve, Dumani iu referua edhe hetimeve ndaj Arben Ahmetajt, për të cilin janë përcjellë letërporosi jashtë Shqipërisë dhe se prokurorët kanë pritshmëri se do të përftojnë të dhëna interesante.

Nuk i marrim leje kurrkujt, e thërrasim, kushdo të jetë për ta marrë në pyetje Arben Ahmetajn apo kushdo të jetë. Kontrollet janë në dinamikën e hetimit ku grupi vlerësoi  se në këto ambiente mund të gjendeshin prova. Kemi gjetur prova. Sekuestro është preventive, masë sigurie me qëllim që mos të tjetërsohet pronësia. Në verifikim është çdo gjë. Kemi nisur letërporosi në shumë shtete, jo vetëm në një shtet. Kërkon kohë. Ka që janë përgjigjur, ka që janë në proces. Hetimi përfshin çdo gjë, (përfshirë mundësinë e fshehjes së pasurisë jashtë). Patjetër që do e thërrasim Ahmetajn, nëse do e shikojmë të nevojshme.

Për inceneratorin e Tiranës, Dumani pranoi se prokurorët kanë hasur në vështirësi.

I takon prokurorit të çështjes. E para, ata po kryejnë shumë veprime hetimore, me intensitet shumë të madh. Aty ka shoqëri pas shoqërie dhe duhet të gjendet pronari real se nesër, pasnesër të çon në arbitrazh. Patjetër që po paguajmë se është detyrim kontraktual. Por, e para,  prokurori konstaton paligjshmëri e më pas nxjerr përgjegjësit.

Më tej iu përgjigj një pakete pyetjesh, duke nisur nga McGonigal deri te Ervis Martinaj.

Unë jam prokuror dhe nuk mund të them se me episodin e Don Boskos, u ngjall apo nuk u ngjall Ervis Martinaj. Nga ana jonë janë ndërmarrë veprime hetimore. Kemi sekuestruar pasuritë e kemi pistat tona edhe sa i përket hetimit të kësaj çështjeje. Janë dërguar aktet në gjykatë dhe dosja hetimore nga ana jonë.

Dumani tregoi se për Stela Gugallën po priten përgjigjet nga jashtë, ndërsa për sekuestrot në portin e Limanit foli dhe për pronat e ushtrisë. Por, mbi të gjitha sipas kryeprokurorit edhe pritshmëritë e tij janë ndaj  vetë prokurorëve që kanë këto çështje nën hetim.