Aktualitet

SPAK-u kërkon 63 vjet burg për grupin Habilaj

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kërkoi 63 vite burgim për anëtarët e grupit kriminal Habilaj. Ata akuzohen për trafikim dhe kultivim narkotikësh në kuadër të një grupi kriminal.

Konkretisht, për Moisi Habilajn, SPAK-u kërkoi 18 vite burgim. Ai ka edhe një dënim në Itali por në pritje të procesit u la në “Arrest shtëpie” e tashmë është zhdukur. Mendohej se Habilaj mund të kishte hyrë në Shqipëri.

Për financierin e grupit, Nezar Seiti u kërkuan 15 vite burgim. Ai është ekstraduar në Itali. 15 vite heqje lirie u kërkuan edhe për Meridian Sulajn e Fatmir Minajn.

Grupi Habilaj u godit nga anti-mafia italiane e cila ishte në ndjekje të tyre për shkak se kishte ndërtuar një rrjet të gjerë të trafikut të drogës. Një pjesë e madhe u arrestua në operacionin e koduar “Rosa dei venti”. Në Shqipëri u ndaluan të tjerë dhe u kap një sasi e madhe droge. Për bashkëpunim me ta është arrestuar edhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çelaj ndërsa një proces u ndoq edhe ndaj ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.