Aktualitet

SPAK-u sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit!

SPAK-u sekuestron pasuritë e dy ortakëve të ish-kreut të arrestuar të ARRSH-së Evis Berberi, biznesmenëve Valter Begaj dhe Ervis Lami, gjithashtu të prangosur.  Janë sekuestruar kompania DAAM me administrator Evis Lamin, si dhe në total 5 sipërfaqe toke të kësaj kompanie.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi masën së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi disa pasuri që dyshohen se janë vendosur nga burime të paligjshme.

SPAK njoftoi se ka kryer hetime kryesisht në kuadër të procedimit penal të vitit 2023, për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Në vijim të njoftimeve të mëparshme, për faktin penal të rezultuar dhe personat e dyshuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuritë e mëposhtme:

Kuotat e shoqërisë “DAAM” sh.p.k., me ortak personin nën hetim V. B. dhe administrator personin nën hetim E. L;

Pasurinë e paluajtshme Nr.80/2, e llojit “arë”, me sipërfaqe 25,100 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.

Pasurinë e paluajtshme e llojit “arë” me sipërfaqe 1,000 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.;

Pasurinë e paluajtshme e llojit “arë”, me sipërfaqe 1,080 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.;

Pasurinë e paluajtshme e llojit “arë”, me sipërfaqe 2,055 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.;

Pasurinë e paluajtshme me sipërfaqe 5,000 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.;

Automjetin e markës “SKODA”, modeli “FABIA”, viti i prodhimit 2019;

Automjetin e markës “JEEP”, modeli “COMPASS”, viti i prodhimit 2011;

Automjetin e markës “BMW”, modeli “X3”, viti i prodhimit 2004;

Automjetin e markës “FORD”, modeli “KUGA”, viti i prodhimit 2011;

Motomjetin e markës “DAYANG”, modeli “DY125T-32”, viti i prodhimit 2022;

Automjetin e markës “KIA”, modeli “SELTOS”, viti i prodhimit 2020;

Automjetin e markës “HYUNDAI”, modeli “AVANTE”, viti i prodhimit 2020.