Komisioni Europian njoftoi në lidhje me një hetim ndaj furnizuesve kinezë të turbinave të prodhimit të energjisë me erë. Brukseli zyrtar synon të përcaktojë nëse subvencionet e huaja u kanë dhënë atyre një avantazh të padrejtë në tregun europian. Komisionerja e BE-së, Margrethe Vestager u shpreh edhe se kushtet e zhvillimit do të kontrollohen për qendrat e prodhimit të energjisë nga era në Spanjë, Greqi, Francë, Rumani e në Bullgari.
Eurokomisionerja Vestager vuri në dukje se Bashkimit Europian do t’i duhet një qasje më sistematike, hetimi i secilit rast në veçanti e jo një hetim i përgjithshëm.
Duhet ta bëjmë ketë para se të jetë tepër vonë. Ne nuk mund të lejojmë atë që ndodhi me panelet diellore të përsëritet me automjetet elektrike, turbinat e prodhimit të energjisë nga era apo mikroprocesorët.
Zyrtarja europiane, Vestager iu referua dominimit kinez në tregun europian të paneleve diellore.
Sot, më pak se 3% e paneleve diellore të instaluara në Bashkimin Europian prodhohen në Europë.
Po ashtu, eurokomisionerja shpjegoi se hetimet “nuk kanë për qëllim që të kufizojnë suksesin e Kinës. Ato kanë për qëllim që të rivendosin drejtësinë në marrëdhëniet tona ekonomike.”
Hetimi bazohet në rregulloren e vitit të kaluar për subvencionet e huaja. Nga 2023-shi, ajo rregullore lejon vlerësimin e ndikimit të subvencioneve të huaja për kompanitë që paraqesin oferta publike në vendet e BE-së e që mund të jenë shumë më të favorshme se rivalët e tyre.
Kjo pason dy hetime të tjera që përfunduan javën e kaluar, duke nxjerrë përfundmin se kompanitë kineze që kishin fituar një kontratë për ndërtimin e një parku të prodhimit të energjisë diellore në Rumani, përfituan në mënyrë jo proporcionale nga subvencionet.
Një tjetër hetim për ndikimin e subvencioneve të huaja, filloi në tetor po të vitit të kaluar ndaj prodhuesve kinezë të automjeteve elektrike, nën dyshimin se subvencionet i lejuan firmat kineze të mbanin çmime të ulëta e gjithashtu të fitonin një avantazh të padrejtë në treg.
Shqetësimet perëndimore për subvencionet e kompanive elektrike, më parë Kina i ka quajtur “të pabaza” dhe ka pohuar se suksesi i vendit në tregun ndërkombëtar është arritur falë novacionit.