Bota

Sulmet e 7 tetorit 2023, shefi i shërbimeve sekrete të Izraelit jep dorëheqjen!

Ushtria izraelite njofton se numri një i shërbimeve sekrete ushtarake, gjeneralmajor Aharon Haliva dha dorëheqje.

Haliva donte që të përmbushte përgjegjësitë e tij drejtuese pas ngjarjeve të 7 tetorit 2023.

Militantët e lëvizjes islamike palestineze Hamas dhe grupe të tjera vranë më shumë se 1 mijë e 200 njerëz në masakrën e tyre, më 7 tetor të vitit të kaluar dhe rrëmbyen rreth 250 persona që i çuan në Rripin e Gazës.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant ra dakord me kërkesën për dorëheqjen e tij. Madje, sipas burimeve ushtarake, ai do të largohet nga ushtria sapo të gjendet pasardhësi. Por, ende nuk dihet me saktësi se kur do të ndodhë kjo.

Në një letër drejtuar Departamentit të Shërbimeve Sekrete, Haliva shkruante se ka dështuar në përmbushjen e detyrës që iu besua. Më vonë, theksoi se mban përgjegjësi për gabimet që çuan në sulmin terrorist. Për të zbardhur këto gabime, bëri thirrje edhe për ngritjen e një komisioni shtetëror hetimor.

Izraeli iu përgjigj masakrës me sulme masive ajrore e një ofensivë tokësore në Rripin e Gazës. Duke pasur parasysh numrin e lartë të viktimave civile, më shumë se 33 mijë sipas autoriteteve shëndetësore të Hamasit e situatën katastrofike humanitare në Gaza, Izraeli po kritikohet gjithnjë e më shumë ndërkombëtarisht.

Më herët, kryeministri Benjamin Netanyahu u zotua që të kundërshtojë çdo sanksion kundër ushtrisë së Izraelit, pas raportimeve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur që të ndërpresin ndihmën për njërin prej njësiteve të saj. Netanyahu u shpreh se do të luftojë kundër tyre me të gjithë forcën që ka.

Nga ana tjetër, zyrtarët amerikanë nuk e bënë të ditur emrin e njësitit izraelit që pritet të sanksionohet, por liderë të shtetit hebraik dhe mediat vendase thanë se bëhet fjalë për Netzah Yehuda. Ky batalion i këmbësorisë është themeluar rreth 25 vjet më parë, për të futur në ushtri burrat ultra-ortodoks.

Netzah Yehuda apo në shqip Përgjithmonë Judea, vazhdimisht qëndron i vendosur në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe disa pjesëtarët të tij kanë lidhje me abuzimet kundrejt palestinezëve. Ky njësit është pjesë e vogël përbërëse e pranisë ushtarake të Izraelit në këtë territor.

Njësiti u kritikua ashpër nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2022 kur një i moshuar amerikano-palestinez u gjet i vdekur pak pasi ishte arrestuar në një pikë kontrolli në Bregun Perëndimor. Amerika i kishte bërë thirrje Izraelit për një hetim gjithëpërfshirës e të merrte përgjegjësi të plotë për rastin.

Ushtria izraelite pati shprehur keqardhje për vdekjen e tij dhe njoftoi se komandanti i Netzah Yehudës do të qortohej, por vendosi të mos hapte procedura penale lidhur me rastin. Uashingtoni, aleati kryesor i Izraelit, nuk i ka ndalur ndihmat për asnjë njësit të IDF-së më parë.