Aktualitet

Sulmet kibernetike iraniane, Komisioni i Sigurisë Kombëtare seancë me AKSHI-n!

Komisioni kuvendor për Sigurinë Kombëtare sot zhvilloi një seancë dëgjimore me AKSHI-n, lidhur me sulmin kibernetik ndaj sistemit TIMS muajin e kaluar, si dhe ndërprerjen e sistemeve kompjuterike qeveritare e pezullimin e shërbimeve online në korrik të këtij viti. Mirlinda Karçanaj, drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) kërkoi dhe iu miratua kërkesa që për shkak të informacioneve sekrete e të klasifikuara, mbledhja të zhvillohej me dyer të mbyllura.

Për shkak të faktit që gjatë diskutimit do të trajtojmë një informacion të konsiderueshëm që është i klasifikuar, sekret ose tepër sekret unë do t’ju lutesha që seanca të zhvillohej pa praninë e kamerave, me dyer të mbyllura.

Për këtë kërkesë nuk munguan debatet në komision. Zëvendëskryetari demokrat, Ferdinand Xhaferaj:

Jemi një grup deputetësh që e pamë të arsyeshme këtë seancë dëgjimore. Drejtoresha e AKSHI-t e sheh të arsyeshme të bëhet me dyer të mbyllura. Si deputetë e kërkuam këtë seancë se pavarësisht se siguria kombëtare u cënua nga hakerat iranianë, hakeri më i rrezikshëm, vazhdimisht cënues i sigurisë kombëtare është korrupsioni e kemi të gjithë argumentet për ta provuar edhe këtë. Pra, ishin mangësitë e lëna në sistem nga korrupsioni që çuan hakerat iranianë në sistemin tonë.

Kryetari socialist i komisionit, Nasip Naço:

Detyrën e prokurorit lerjani të tjerëve! Drejtoresha ka ardhur këtu për të informuar. Nëse nxirrni përfundime, jeni gabim!

Anëtari demokrat, Enkelejd Alibeaj:

Kjo seancë me AKSHI-n u kërkua edhe për një arsye, ne pranojmë se vendi është në agresion kibernetik. Një seancë e ka vlerën për t’u informuar deputetët, por ajo që ka ndodhur prek edhe publikun, ndaj duhet të jepeshin edhe sinjale qetësie apo realizmi. Edhe për të ditur se cila ka qenë gjendja e gatishmërisë nga AKSHI apo institucione të tjera.

Ndërsa hodhi në votim kërkesën për vijimin e seancës me dyer të mbyllura, Naço iu kërkoi deputetëve të dorëzonin celularët e gjithçka tjetër, me qëllim mospërhapjen e informacioneve.