Aktualitet

Sulmi kibernetik, QKB shtyn afatin e dorëzimit të bilanceve!

Qendra Kombëtare e Bizneseve ka bërë të ditur se duke u nisur nga problematikat e hasura nga subjektet tregtare ditët e fundit, për kryerjen me sukses të aplikimeve për depozitimin e pasqyrave finnanciare të vitit raportues 2021,  bazuar në parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative, afati i depozitimit të tyre shtyhet deri në datë 15.09.2022.

2 gushti ishte afati i fundit të dorëzimit të bilanceve të vitit 2021.

Që pas sulmit kibernetik mbi E-Albania, nga 17 korriku, dorëzimi i bilanceve, i cili kryhet përmes sistemit të E-Albania, ishte i pamundur, për të paktën një javë, duke krijuar shqetësime te subjektet që nuk po arrinin të kryenin këtë shërbim.

Edhe aktualisht dorëzimi i bilancit sipas ekonomistëve të subjekteve është një mision i vështirë dhe has problematika të shumta. Subjektet duhet të presin orët e vona të natës që të arrijnë të dorëzojnë online pasqyrat financiare dhe dokumentet e tjera që kërkohen sipas ligjit.

Ministria e Financave njoftoi në 25 korrik se “Bazuar në nenin 54 të Kodit të Procedurave Administrative, afati për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar do të shtyhet për aq ditë sa nuk ka funksionuar portali qeveritar e-Albania. Subjektet që nuk kanë aplikuar akoma për depozitimin e pasqyrave financiare do të rivendosen për depozitimin e tyre brenda periudhës së shtyrjes së afatit fillestar”, përfundon njoftimi i financave.

Tashmë QKB ka përcaktuar dhe afatin e ri të dorëzimit, duke u dhënë bizneseve edhe dy javë kohë për dorëzimin e pasqyrave financiare.

Nga ky vit, gjoba për mosdorëzim në afat është 60 mijë lekë, nga 15 mijë lekë që ishte më parë.

Ministria e Financave tha më herët për Monitor se procesi I dorëzimit të bilanceve është funksional dhe bizneset mund të depozitojnë online pasqyrat financiare dhe dokumentet e tjera të kërkuara.