Bota

Sulmi me armë në Johanesburg, shkon në 15 numri i viktimave!

Ka shkuar në 15 numri i viktimave nga sulmi me armë në një lokal në qytezën Soweto të Afrikës së Jugut.

Sipas policisë, persona të armatosur hynë në lokal në orët e para të mëngjesit të së dielës dhe filluan të qëllonin ndaj një grupi të rinjsh, shkruan BBC.

Më pas ata janë larguar nga vendi i ngjarjes me një minibus të bardhë, teksa ende nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Viktimat mendohet të jenë të moshës 19 deri në 35 vjeç. Policia është në kërkim të të dyshuarve, identiteti i të cilëve mbetet i panjohur.

Ndërsa, disa të plagosur ndodhen në spital në gjendje kritike për jetën. Banorët u shprehën të indinjuar me policinë, pasi sipas tyre iu deshën të paktën 5 orë që të vinin në vendngjarje.