Aktualitet Politikë

Takimi Kim-Balla, ambasadorja amerikane flet për diskutimet!

Yuri Kim bëri publike detaje nga takimi i sotëm me Taulant Ballën në Kryesinë e Kuvendit. Rritja e bashkëpunimit Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vijimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi, mes temave të diskutimeve të ambasadores amerikane në vendin tonë me kryetarin e grupit parlamentar socialist.

U takova me drejtuesin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për të diskutuar rritjen e bashkëpunimit gjatë kremtimit tonë të 100-vjetorit dhe vazhdimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi, duke respektuar rolin institucional të Parlamentit.

Prej fillimit të javës, diplomatja e Uashingtonit ka qenë shumë aktive në takimet e saj: dy ditë më parë me kryeparlamentaren Lindita Nikolla dhe dje me kryetarin e komanduar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj. Në korrik të këtij viti, Ilir Meta nuk do të jetë më në krye të shtetit e muajin e ardhshëm, më 24 maj, Kuvendit i duhet të nisë procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Më tej, brenda 7 ditëve pritet të zhvillohet votimi i parë.

Në zyrën e kryeparlamentares Nikolla ishin edhe Taulant Balla, Elisa Spiropali e Damian Gjiknuri, të mandatuarit socialistë në negociatat për emrin e presidentit. Në fokus, përcaktimi i dy kalendarëve të punës mbi hapat që do të ndërmarrë grupi socialist dhe Kuvendi.  Jo pa interes u ndoq edhe takimi i djeshëm mes ambasadores Kim e Alibeajt, me diplomaten që apeloi për të vazhduar përpara, jo pas! Javën e kaluar, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi publikisht se “nuk do të votohet asnjë kandidaturë për president, e propozuar ose e ardhur nga Partia Socialiste”, ndonëse maxhoranca e ka bërë të qartë se nuk ka negociata me të.

Për zgjedhjen e kreut të Shtetit, Kushtetuta e Shqipërisë parashikon pesë raunde votimi në Kuvend: në tre të parët nevojitet shumicë prej tre të pestash dhe në dy të fundit, mjafton shumicë e thjeshtë.