Aktualitet

Taksimi i profesioneve të lira, diskutohen strategjitë!

Paketa e Rezistencës Sociale do të vijojë edhe për muajin qershor për kategoritë në nevojë ndërsa në vijim pritet të analizohet ecuria e çmimeve për të marrë vendimet e duhura. Kjo u bë e ditur sot nga ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj:

Paketa e Rezistencës Sociale është në mes të disbursimit të saj, ishin parashikuar tre muaj ndërkohë që sot jemi në mes të majit. Pra, edhe në muajin qershor për kategoritë e targetuara do të merret përfitimi i parashikuar. Ne jemi duke analizuar me kujdes ecurinë e normave të inflacionit, të cilat ndikojnë më shumë në kategorinë e shtresave në nevojë që nuk përballojnë rritjen e çmimeve. Normat e inflacionit mujor kanë ardhur duke u reduktuar. Ne urojmë që për shumë elementë të tjerë, kjo tendencë të vijojë. Do të jemi të kujdesshëm që të analizojmë ecurinë e çmimeve dhe të marrim vendimet e duhura!

Për taksimin e profesioneve të lira, Ibrahimaj bëri të ditur se po diskutohen dy strategjitë, por vëmendje më të madhe do të marrë pasi të dalë Akti Normativ.

Ka disa forma taksimi të parashikuara: një është në mënyrë progresive. Në një tjetër, biznesi mund të zgjedhë formën e taksimit. Do të ketë vëmendjen e duhur pasi të dalë Akti Normativ.

Akti Normativ që ka kaluar në mbledhjen e qeverisë, parashikon kompensim për rritjen e çmimeve deri në 30%. Parashikon që autoritetet kontraktuese të marrin në analizë, çmimet e çimentos, hekurit, bitumit, bakrin, etj, që janë shtrenjtuar. Do të analizojmë çmimet e faturat. Duhet të njihet 30% rritja e çmimeve. Fondi i kompensimit do të përcaktohet në varësi të kërkesave.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj foli në konferencën për media lidhur me tatimin e profesioneve të lira, duke treguar se së shpejti do të publikohet drafti i ri për taksimin mbi të ardhurat të të vetëpunësuarit.  Ministrja shpjegoi se qëllimi është të vendoset barazi në taksim dhe mori shembull një avokat të punësuar që paguan tatim mbi pagat, ndërsa një tjetër që ofron shërbim e nuk paguan taksa. Po ashtu, sipas ministres, në 4-mujorin e parë të vitit ka një rënie të importeve me 1%, ndërsa eksportet pësuan rritje.