Aktualitet Bota

‘Të ngrihet flamuri i bardhë’, Ambasada e Ukrainës në Vatikan i përgjigjet Papës: Njësoj si të bësh negociata me Hitlerin!

Ambasada e Ukrainës në Vatikan i është përgjigjur deklaratave të Papa Françeskut , i cili në një intervistë theksoi urgjencën e një negociate dhe rekomandoi që vendi “të ngrejë një flamur të bardhë”.

Ambasada e Ukrainës, në përgjigje të kësaj, deklaroi ndër të tjera se që të arrihet paqja, është njësoj si të bëhej negociatë me Hitlerin.

“Është shumë e rëndësishme të silleni me konsistencë. Kur i referohemi Luftës së Tretë Botërore, që po jetojmë tani, duhet të na jepet një mësim: në atë kohë, a kishte dikush që fliste për negociata paqeje me Adolf Hitlerin dhe një flamur të bardhë për ta kënaqur atë? Mësimi është vetëm një: nëse duam që lufta të përfundojë, ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të vrarë Dragoin!”, thuhet në reagim.

Në intervistë, intervistuesi Lorenzo Buccella pyet Papën: “Në Ukrainë, disa bëjnë thirrje për guximin e dorëzimit, të flamurit të bardhë. Por të tjerë thonë se kjo do të legjitimonte partinë më të fortë. Çfarë mendoni?”

Papa Françesku u përgjigj: “Ky është një interpretim. Por besoj se më i forti është ai që e sheh situatën, që mendon për popullin, që ka guximin e flamurit të bardhë, të negociojë. Dhe sot negociatat janë të mundshme me ndihmën e fuqive ndërkombëtare. Fjala ‘negocioj’ është një fjalë e guximshme. Kur sheh që je i mundur, se gjërat nuk po shkojnë mirë, duhet të kesh guxim për të negociuar. Ju mund të ndiheni të turpëruar, por me sa vdekje do të përfundojë? Negocioni në kohë; kërkoni një vend që mund të ndërmjetësojë. Sot, për shembull në luftën në Ukrainë, ka shumë që duan të ndërmjetësojnë. Turqia ka ofruar veten për këtë. Dhe të tjerët. Mos ki turp të negociosh para se gjërat të përkeqësohen.”