Aktualitet

Temperaturat shumë të ulëta, vështirësitë e para në verilindje!

I ftohti polar po shton gradualisht problemet në vendin tonë, sidomos në verilindje. Në Dibër, zonat e thella të Lurës, Selishtës, Reçit, Luznisë, Sllovës e Kalasë së Dodës janë të izoluara. Prej 72 orësh, një pjesë e tyre janë edhe pa energji elektrike, mungesa e së cilës nuk ka kursyer as tre njësi administrative në Bulqizë: Krastë, Ostren e Trebisht, si edhe disa fshatra në Tërnovë. Një pjesë e qytetit të Peshkopisë është pa ujë të pijshëm, për shkak se tubacionet kanë ngrirë.

Aksi Peshkopi-Tiranë kalohet pa probleme, por duhet të tregohet kujdes në bypass-in e Murrizit, në veçanti gjatë natës e në orët e para të mëngjesit. Aksi Ura e Çerenecit-Librazhd kalohet me zinxhirë, ndërsa në atë Peshkopi – Kala e Dodës – Kukës, kalimi bëhet me zinxhirë nga Ura e Veleshicës drejt Vasies. Zinxhirët duhen përdorur edhe në një pjesë të rrugës Peshkopi – Draj Reç – Kukës.

Gjatë natës pati reshje dëbore në Llogara, në Damës-Memaliaj dhe Hani i Hotit-Tamarë, por pa sjellë probleme me qarkullimin. Kontraktorët punuan për shpërndarjen e kripës në të gjitha akset kombëtare, për të shmangur ngricat, nga temperaturat nën 0°C.

ARRSH njofton se drejtuesit duhet të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë e goma dimërore, të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.

Sa i përket parashikimit të motit, vendi ynë mbetet nën ndikimin e të ftohtit polar duke sjellë kushte atmosferike, kryesisht të qëndrueshme. Me përjashtim të vranësirave kalimtare në veri e verilindje, në pjesën tjetër të territorit dominojnë kthjellimet. Për sot, temperaturat variojnë nga minus 13 në 8 gradë celcius.

Ekspozimi ndaj temperaturave të ulëta mund të shkaktojë probleme shëndetësore serioze. Kategoritë më të rrezikuara janë fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për kujdes të veçantë e jep disa këshilla:

Siguroni një ambient të ngrohtë e me temperaturë konstante! Vishuni me veshje sa më të rehatshme e të ngrohta, rezistente ndaj erës dhe shiut, kapele, doreza si dhe këpucë kundër ujit. Konsumoni produktet e stinës në sasi të mjaftueshme. Ushqimi i siguron trupit energji dhe ngrohtësi në ditët e ftohta. Mbani në shtëpi rezervë për rastet ekstreme të motit, ujë të pijshëm dhe ushqime të cilat nuk kanë nevojë për frigorifer. Mbroni familjen tuaj nga monoksidi i karbonit. Mbani bombulat e gazit jashtë shtëpisë, bodrumit apo garazhit. Lini menjëherë shtëpinë dhe njoftoni autoritetet përkatëse, nëse nuhasni praninë e gazit.