Bota

Tensionet për Tajvanin shkaktojnë ankth në ishullin e vogël japonez Yonaguni

Ndërsa Japonia po heq kufizimet ushtarake të vendosura pas Luftës së Dytë Botërore, ndryshimi po ndihet më shumë se kudo tjetër në ishullin Yonaguni. I ndodhur pranë Tajvanit, ishulli i vogël japonez po transformohet dalëngadalë në një bazë ushtarake. Shumë nga banorët janë të shqetësuar se do të përfshihen në një konflikt të mundshëm mes Kinës dhe ishullit të vetëqeverisur të Tajvanit, për të cilin Pekini thotë se është territor kinez.

Në një ndër ishujt më të bukur të Japonisë, Yonaguni, kuajt e egër shëtisin të lirë përgjatë bregdetit.

Ky është ishulli më i largët japonez, që shpeshherë duket sikur nuk është prekur nga dora e njeriut.

Banorët e paktt shijojnë qetësinë që është e vështirë të gjendet në pjesë të tjera të vendit.

Por, rreziku mund të vijë nga përtej horizontit.

Kjo është pika më perëndimore e Japonisë. Tajvani ndodhet vetëm 100 kilometra larg dhe mund të dallohet me sy në ditët me mot të mirë.

Afërsia gjeografike ka krijuar probleme. Gjatë tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës vitin e kaluar, një raketë kineze fluturoi mbi Tajvanin dhe ra 80 kilometra pranë ishullit Yonaguni.

Kjo ishte shqetësuese për peshkatarët që sigurojnë jetesën në këto ujëra.

“Raketat që nisen nuk mund të jenë 100% të sakta – është aktivitet njerëzor. Pra është shumë e frikshme. Pothuajse të gjithë peshkatarët janë të frikësuar”, thotë Shigenori Takenishi, drejtues i sipërmarrjes së peshkimit në ishullin Yonaguni.

Rreziku nuk është vetëm për shkak të Tajvanit. Yonaguni ndodhet gjithashtu pranë një grupi ishujsh që si Japonia edhe Kina i konsiderojnë pjesë të territorit të tyre.

Kotaro Kobari shpesh peshkon pranë këtyre ishujve, ku janë parë gjithnjë e më shumë anije patrullimi kineze.

“Së fundmi na kanë ndjekur nga pas. Na afrohen. Mendoj se janë të rojes bregdetare kineze”, thotë peshkatari japonez Kotaro Kobari.

Peshkatarët gjenden kështu në vijën e parë të tensioneve mes Kinës dhe Japonisë, diçka që nuk e kanë dëshiruar ndonjëherë.

“Nëse më godasin, nuk kam shans që të mbijetoj. Është e frikshme kur një anije aq e madhe të afrohet kaq shumë”, thotë zoti Kobari.

Për ishullin Yonaguni, tensionet kanë sjellë ndryshime të mëdha.

Në vitin 2016,aty u vendos një bazë ushtarake, kryesisht për qëllime vëzhgimi.

Së shpejti, Japonia do të atje raketa, në kuadrin e rritjes së kapaciteteve ushtarake të këtij vendi historikisht paqësor.

Shumë vendas shprehen të shqetësuar.

“Më shumë paisje ushtarake nuk na bëjnë të ndihemi më të sigurtë. Paisjet ushtarake shkaktojnë luftë. Këtu nuk duhet të ketë luftë”, thotë Fumie Kani, pronare hoteli.

Ajo ka lindur dhe është rritur në Yonaguni dhe thotë se nuk do të largohet edhe nëse fillon lufta.

“Nëse do të ishte e nevojshme do të vdisja këtu. Do të ishte e tmerrshme. E dashuroj këtë ishull. Dua të jetoj këtu përgjithnjë… Jam e zemëruar me këtë politikë që mund të shkatërrojë jetët tona”, thotë zonja Kano.

Por, ndërsa numri i popullsisë po bie , shumë banorë mirëpresin çfarëdolloj ndihme ekonomike.

“Të ardhurat që mund të nxjerrim na shtynë t’i ftojmë forcat e mbrojtjes në ishullin tonë. Sigurisht që pati kundërshtime. U mbajt edhe një referendum. Por po i tejkalojmë këto pengesa”, thotë zoti Takenishi.

Banorët thonë se po kalojnë ditë jo të lehta, ndërsa ishulli Yonaguni përpiqet të ruajë paqen në një rajon të ngarkuar me konflikte.