Bota

Tërmet i fuqishëm në Tajvan/Viktima, të plagosur e shkatërrim!

Në Tajvan, rëndohet bilanci i tërmetit të fortë që goditi ishullin. Të paktën shtatë persona kanë vdekur dhe rreth 700 janë plagosur si pasojë e lëkundjes me magnitudë 7.2 Rihter në brigjet e ishullit me 23 milion banorë, në thellësinë 15.5 kilometra. Epiqendra ishte në juglindje të Hualienit, në pjesën e Tajvanit lindor.

Tërmeti me magnitudë 7.2 që sot tronditi Tajvanin, sipas burimeve të Administratës Qendrore të Motit (CWA), shkaktoi edhe një cunami të vogël që arriti në disa ishuj në Japoninë jugperëndimore. Tërmeti goditi në orën 07:58, në një thellësi prej 15.5 kilometrash.

Epiqendra ishte rreth 25 kilometra në juglindje të Hualienit në Tajvanin lindor, bëri të ditur CWA. Tërmeti u pasua nga disa pasgoditje të forta, duke përfshirë një me magnitudë 6.5 po të shkallës Rihter, teksa vazhdon aktiviteti sizmik.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USGS) e vlerësoi magnitudën e tërmetit në 7.4 të shkallës Rihter.

Disa ndërtesa në Hualien u dëmtuan rëndë nga lëkundjet e dhunshme, siç raportuan mediat lokale. Fotot treguan një ndërtesë shumëkatëshe të shembur.

Në qytetin e Nju Tajpeit, i cili rrethon kryeqytetin në veri të ishullit, një magazinë u shemb duke plagosur tre persona, raportuan disa prej mediave. Po ashtu, dëme u raportuan edhe në pjesë të tjera të ishullit. Sipas dëshmitarëve okularë, tërmeti është ndjerë edhe në Tajpei. Transporti hekurudhor publik u anulua në disa qytete të mëdha të ishullit. Ndërkaq, u ndërprenë edhe shërbimet e trenit ekspres.

Kina shprehet e gatshme që të ofrojë ndihmë për Tajvanin pas tërmetit shkatërrimtar. Një zyrtare tha se “autoritetet në Pekin janë shumë të shqetësuara për situatën e krijuar nga fatkeqësia natyrore”.

Kina po e monitoron situatën dhe është e gatshme që të ofrojë ndihmë për fatkeqësitë, thuhet në një deklaratë.

Tajvani ka një qeveri të pavarur që nga viti 1949, por Kina e konsideron demokracinë vetëqeverisëse si pjesë të territorit të saj.