Aktualitet Politikë

Tërhiqet qeveria investimet strategjike zgjaten deri në 2024-ën. Edhe deputetët e PS-së ishin kundër

Ligji për investimet strategjike ka rihapur përsëri debat në komisionet ndërparlamentare, ndërsa u miratua afati i ri, deri në fund të 2024-s. Propozimi fillestar ishte shtyrja e afatit deri në fund të vitit 2027, por deputetët, përfshi edhe ata të PS-së ishin kundër për këtë zgjatje.

Kryetari i komisionit të Ekonomisë Eduart Shalsi tha se deputetët po pranojnë ta zgjasin ligjin deri në 2024-n, me shpresën se deri atëherë do të jetë gati ligji i ri integral.

Për deputeten demokrate Jorida Tabaku, e cila u rikthye në komisionin e Ekonomisë, ligji është klientelist dhe aspak transparent. Ajo ironizoi se është ende në pritje të hartimit të ligjit të ri që ka prej 10 vitesh që diskutohet.

“Nuk besoj se në historinë 35-vjeçare të tranzicionit të ketë një proces hartimi të një ligji sesa ky i investimeve. Së dyti, mbasi i kam analizuar me kujdes, të paktën atë informacion që është publik, sepse e kam shprehur shumë herë shqetësimin që ligji i investimeve strategjike është totalisht jotransparent në zbatimin e tij; kam vënë re se nga 84 kërkesa ku mbi 40 janë të pranuara, 44 në mos gaboj, 75% janë për fshatrat turistike. Kështu që zoti Shalsi, kur them herë tjetër se ka ligje që konsiderohen ligje kapje shteti, mos t’ju ngelë fare hatri dhe qejfi sepse nuk ka lidhje me ju, ka lidhje me qeverinë dhe mazhorancën dhe ka lidhje me faktin që ky është nga ato ligje pikërisht”, tha Tabaku.

Deputetja shtoi se nuk ka ende një vlerësim nga AIDA se si investimet strategjike kanë ndikuar në ekonomi, punësim etj. Ajo u ndal dhe tek problematikat e pronë që sjell ky ligj.

“Unë kam një shqetësim real për pronën, për sa i përket të gjithë investimeve strategjike, një shqetësim dhe ju nuk e kishit akomoduar me kërkesa sepse ishit fokusuar në procesin e marrjes së vendimit, shqetësimi i marrjes së pronës është shqetësim që sot ka krijuar problematikën më të madhe në zbatimin e ligjit. Unë e përmenda dhe në mbledhjen e kaluar, në kadastrën e Vlorës dhe në të gjithë qytetet e jugut problematika kryesore për korrupsion lidhet pikërisht me zbatimin e këtij ligji sepse ligji merr parasysh që pronat të cilat janë prona pronarësh legjitimë, ja ndërmjetëson dy privatëve për t’ja shitur këto me një çmim jo tregu por çmim VKM-je. Shkelje e të drejtës së pronës përmendet dhe në progresraport, përmendet në disa progresraporte me radhë si ligj i investimeve strategjike, problematikat që ka në zbatimin e tij dhe njëkohësisht përmendet dhe me ligjin e zonave të mbrojtura që fatkeqësisht kaloi pak javë më parë në Parlament. Ndërkohë që elementi i tretë lidhet me procesin”, u shpreh deputetja demokrate.

Edhe deputeti socialist Erion Braçe shprehu rezervat e tij për investimet strategjike, duke thënë se në Shqipëri nuk ndodhin më të tilla dhe se nuk mbështet rikthimin e këtij ligji. Ai ishte pro shkurtimit të afatit.

Për deputetin Enkelejd Alibeaj, ligji nuk duhet të ekzistojë dhe se qeveria duhet të tërhiqet. Sipas tij ligji është korruptiv dhe është bërë për 40 veta.

“Qeveritarët janë përfshirë në vrimën e zezë të këtij ligji. Ju po i shtyni afatin një ligji që as ju nuk e besoni më. Ligj klientelist, autostradë e madhe korruptive. Interesi real, është për të thithur paranë korruptive dhe të zezë. Duhet të hetohen të gjitha procedurat e mëparshme për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, i bën nderë edhe qeverisë për të mos ndyrë duart edhe në këtë vorbull korrupsioni si ky ligj i investimeve strategjike. Duhet të tregoni që jeni me duar jashtë, që mbroni interesat e publikut, që nuk i shërben një kaste oligarkësh afër qeverisë për ta përdorur ligjin si plaçkë. Bëni ligj për 40 veta, investitor strategjik që marrin pasuritë e këtij vendi për interesa të veta. Ku është mbrojtja e interesit publik”, u shpreh Alibeaj në komisionin e Ligjeve që po ashtu miratoi shkurtimin e afatit deri në 2024-n.