Auto & Moto

Tesla shkarkon ekipin e saj të marketingut!

Tesla së fundmi ka ulur çmimet e tre prej pesë modeleve të saj në SHBA, e më pas vazhdoi me uljen e çmimeve në mbarë globin, duke përfshirë edhe Kinën dhe Gjermaninë. Ky hap nga kompania vjen pasi ajo po përballet me rënie të shitjeve dhe ndodhet në luftë të intensifikuar me shitjen e automjeteve elektrike. Bëhet e ditur se kompania e Elon Musk ka ulur çmimet e Modeleve Y, X dhe S.

Tashmë Modeli Y në SHBA kushton 42,990 dollarë, Modeli S 72,990 dollarë dhe Modeli X 77,990 dollarë. Gjithashtu, Tesla ka ulur edhe çmimin e softuerit “Full Self-Driving” nga 12 mijë në 8 mijë dollarë. Ndërkohë, në Gjermani çmimi i Modelit 3 është ulur në 40 mijë euro nga 42 mijë sa ka qenë. Ulje çmimesh ka pasur edhe në vende tjera evropiane, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë.

Ndërkaq, vetëm katër muaj pas punësimit të një ekipi të dedikuar për marketing në fillim të vitit, Tesla thuhet se ka pushuar papritmas të gjithë departamentin. Kjo lëvizje befasuese përfshin liderët e ekipit Alex Ingram dhe Jorge Milburn ka ngjallur jo pak polemika.

Në maj të vitit 2023, Elon Musk u premtoi investitorëve Tesla se do të provonte pak reklama dhe do të shihte se si do të shkonte. Pas kësaj, Bloomberg raportoi se Tesla filloi ndërtimin e një ekipi marketingu në janar. Megjithatë, mes sfidave të ndryshme, kompania tani ka pushuar nga puna rreth 40 anëtarë të atij ekipi.

Kompania e Musk ka njoftuar edhe për shkurtimin e 10% të stafit global të saj. Këto veprime thuhet se i kanë dhënë fund një jave kaotike që përfshinte tërheqjen e të gjithë Cybertrucks, shkaku i një defekti në pedalin e gazit. Kompania ka njoftuar se shitjet e saj në mbarë botën kanë rënë ndjeshëm pasi konkurrenca është rritur dhe shitja e automjeteve elektrike është ngadalësuar.