Bota

Testim masiv për COVID në Pekin!

Qeveria kineze nisi sot testimin masiv të qytetarëve në kryeqytetin e Kinës, Pekin, pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus. Qarku Çaojang raportoi për 26 persona të infektuar në fundjavë, shifra më e lartë në valën e fundit të pandemisë.

Jashtë dyqaneve u panë radhë të gjata njerëzish, pavarësisht deklaratave të qeverisë kineze se ka mjaftueshëm ushqime e furnizime të tjera. Megjithatë, ekziston frika se Pekini mund të përballet me situatë të ngjashme si Shangai, ku mbi 25 milion njerëz janë mbajtur të mbyllur në shtëpitë e tyre, për javë të tëra. Pavarësisht masave të rrepta që synojnë përhapjen e virusit, një ditë më parë, në Shangai u raportuan 51 viktima nga COVID-19.

Në qarkun qendror të Pekinit, radhët evidentohen përpara supermarketeve e gjithashtu qendrave të testimit, të ngritura në pika të ndryshme nga autoritetet shëndetësore kineze. Ekipi për parandalimin e sëmundjeve në Çaojang tha se të 3.5 milion njerëzit e qarkut do t’i nënshtrohen tre fazave të testimit për koronavirus.

Shqetësimet për atë që po ndodh në Kinë, po reflektohen edhe në tregjet ndërkombëtare, me çmimet e lëndëve të para që pësojnë rënie e investitorët kanë shumë pasiguri, pasi sikur të mos mjaftonte kjo, përballen edhe me pasojat ekonomike të luftës ruse në Ukrainë.

Siç edhe dihet tashmë, koronavirusi që shkakton sëmundjen COVID-19, shpërtheu për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019. Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH e ka shpallur pandemi në mars të vitit 2020, tre muaj më pas.

Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, koronavirusi ka prekur mbi 509 milion njerëz në të gjithë botën, mbi 6.2 milion ndërruan jetë, fatkeqësisht duke e humbur betejën me sëmundjen. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, India dhe Brazili janë mes vendeve më të goditur në nivel global, me shifrat më të larta të të prekurve dhe fataliteteve.