Aktualitet

“Babale”, në Apel shtyhet sërish seanca/E radhës, më 22 maj!

Sërish Apeli shtyn seancën për dosjen “Babale”, shkak mungesa e avokatit të Jetmir Olldashit. Indrit Sefa paraqiti kërkesë për shtyrje, për arsye shëndetësore. Seanca e radhës u caktua për më 22 maj, ora 10:00. Avokati i cili po mbron Geron Xhafën,  Ardian Visha sërish kërkoi që të caktohej avokat kryesisht, me argumentin se po zvarritet procesi.

Tregues nuk është vetëm rastësia e sëmundjes së avokatëve, por edhe mungesa e të gjithë ansamblit të deputetëve që gjithmonë vijnë në seancë. Nuk është rasti që kur sëmuret avokati, mungon edhe i pandehuri. Duhet të caktohet avokati kryesisht.

Për dosjen “Babale”, në dhjetor 2019, Gjykata Penale vendosi 1 vit burg për deputetin demokrat Ervin Salianji, me akuzën e kallëzimit të rremë, kryer në bashkëpunim, por ai nuk u arrestua për të bërë burg, pasi u hetua në gjendje të lirë. Tashmë, procesi vijon në Apel.

Ndërkohë, Albert Veliu i njohur si Babalja u dënua me 3 vite e 8 muaj burg ndërsa gazetari Jetmir Olldashi, me 6 muaj, dënim i zëvendësuar me 100 orë pune.

Edhe më 12 e 24 prill, në Apel u shtynë sërish seancat gjyqësore.  Teksa foli për gazetarët, rreth një muaj më parë, Salianji tha se ka prova shkencore se i gjithë denoncimi për vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj është plotësisht i vërtetë. Ai pati thënë se detajet do të jepeshin më 24 prill, seancë që nuk u zhvillua pasi avokati i Salianjit bëri kërkesë për shtyrje, për arsye shëndetësore.

Më 12 prill, Ervin Salianji shprehej:

Ky është një gjyq politik për një denoncim të bërë nga ana ime për vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm, i cili fill pas denoncimit të bërë nga unë si deputet i PD-së, në selinë e PD-së, në po të njëjtën ditë ka shkuar dhe i është dorëzuar autoriteteve gjyqësore italiane për të kryer dënimin me 7 vite burg, pavarësisht se kishte më shumë se 6 vite që jetonte i lirë në Shqipëri, pavarësisht vendimit të formës së prerë që kishte dhënë gjykata për shkak të mbrojtjes politike që i jepte ish-ministri i Brendshëm.

Eshtë një çështje që ka ardhur në Apel, ashtu si dhe në Gjykatën e Shkallës së Parë, si kallëzim i trafikantit të drogës Geron apo Agron Xhafaj. Eshtë një denoncim, i cili pavarësisht se prokuroria bashkë me atë që ka bërë kallëzimin kanë detyrën që të vërtetojnë fajësinë, por unë po iu them që ne kemi prova shkencore.

Duke kthyer mbrapsht parimin e gjithëpranuar në botë dhe jo vetëm në Shqipëri të barrës së provës që duhet ta ketë prokuroria, unë do të nxjerr prova shkencore se si është 100% i  vërtetë i gjithë denoncimi i kryer nga unë, në emër të PD-së dhe se si institucionet e shtetit shqiptar kanë shmangur hetimin për trafikun e drogës ndaj vetë ministrit e Geron Xhafës dhe si kanë shmangur komplet hetimin pasuror të tij në bazë të ligjit antimafia, që të vazhdojë edhe karrierën politike, por edhe bizneset për akuzat që ka për kate pa leje apo për shumëkatëshe në mes të Tiranës.