Aktualitet

Tiranë, devijohet qarkullimi nga Shqiponja drejt Pallatit me Shigjeta e anasjelltas!

Punimet në Lotin 3, bëhen shkak që nga nesër të ndryshojë drejtimi i lëvizjes për automjetet në Unazën e Madhe në kryeqytet. Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH njofton se makinat që do të vijnë nga Sheshi Shqiponja në drejtim të Pallatit me Shigjeta, pas daljes nga nënkalimi i “O-Zone”, do të devijojnë majtas duke përdorur karrexhatën e re të rrugës kryesore të Lotit 3 e shmangur kështu aksin kryesor deri pranë Mbikalimit te Pallatit me Shigjeta, për të vazhduar më pas sipas orientimit ekzistues.

Automjetet që përdorin aksin e rrugës dytësore djathtas, nuk do të kenë ndryshim të lëvizjes.

Automjetet që do të vijnë nga Mbikalimi i Pallatit me Shigjeta në drejtim të rrugës “Teodor Keko”, do të devijojnë djathtas duke përdorur karrexhatën e re të rrugës dytësore të Lotit 3, duke shmangur kështu aksin kryesor deri pranë nënkalimit të O-Zone, e duke vazhduar më pas sipas orientimit ekzistues në Lotin 2.

“Për automjetet që do të kenë destinacion Yzberishtin, Bulevardin “Migjeni”, “Kombinatin” nuk do të ketë ndryshime në qarkullim.

Autoriteti kërkon mirëkuptimin e banorëve dhe përdoruesve të rrugës për këto ndërhyrje që po kryhen në këtë aks deri në përfundimin e plotë të projektit!

https://www.facebook.com/448230332238248/posts/1524587781269159/?d=n