Aktualitet

Tiranë, këmbente para’ duke i hedhur në portofole virtuale, në kërkim një kosovar!

Në Tiranë zbulohet një pikë exchange-i e kriptomonedhave, sekuestrohen 60 mijë euro e dy llogari në kripto në vlerë 135 mijë euro. Shpallet në kërkim administratori nga Kosova.

Nga hetimet rezultoi se ky shtetas i moshës 48-vjeç, i cili administronte pikën e këmbimit të parave në kryeqytet, paratë e klientëve i hidhte në portofole virtuale e nuk bënte asnjë deklarim të klientëve e parave që ata sillnin duke e bërë të pamundur gjurmimin e origjinës së tyre.

Policia thotë se finalizoi operacionin e koduar “Crypto” pas hetimeve me metoda proaktive nga Krimi Ekonomik nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Në gjendje të lirë po hetohet punonjësi i subjektit, një 22-vjeçar nga Tirana, i cili u shërbente klientëve.

Sipas policisë, klientët çonin para’ për t’i investuar në monedha virtuale. Në disa raste kur vlera e investuar ishte rritur në rrjetet e kriptomonedhave, ata i tërhiqnin në para’ cash përmes të njëjtës pikë këmbimi, të administruar nga kosovari në kërkim. Edhe në këtë rast, asgjë e deklaruar.

Administratori paguhej për shërbimin që u jepte klientëve, me garancinë se në të gjitha rastet investimi nuk do iu shkonte dëm dhe vlera e parave që kishin dorëzuar në fillim do të rritej në portofolet virtuale.

Por, administratori nga Kosova, duket të ketë përfituar shuma të mëdha parash cash nga klientët, nisur nga fakti që në dy llogari me kriptomonedha që policia sekuestroi, vlera e monedhave virtuale kishte arritur në 135 mijë euro.

Ndërkaq, cash në subjekt ai kishte 60 mijë e 665 euro të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme dhe blutë e Tiranës i sekuestruan. Pra, loja e tij për të mos i kthyer klientëve para’ cash, bazohej në premtimin se do të punonte që monedha virtuale të fitonte akoma dhe më shumë vlerë.

Në pikën e këmbimit të parave u gjetën edhe dy kompjuterë që shërbenin për të menaxhuar sistemet e kriptomonedhave, një laptop e një aparat celular.