Showbiz Top Albania Radio Special

Top Albania Radio rikthen “Surprise”…

Jemi vërtet radio më e dashur dhe më e dëgjuar e shqiptarëve por nuk do të thotë që jemi perfekt. Fundja të jesh perfekt është pak e mërzitshme. Ndaj siç është bërë zakon ditën e fundit të vitit nuk e censurojmë veten, fusim on-air ato që na kanë shpëtuar dhe ato që ua kemi kursyer për një vit të tërë për t’i shijuar ndërkohë që bëni përgatitjet e fundit për festën e madhe.

Personazhet që mbushin ditët tuaja në radio çdo ditë do i dëgjoni siç nuk jeni mësuar t’i dëgjoni, në të gjithë dimensionin e tyre… njerëzor. Prezantuesit, folësit e lajmeve si edhe të ftuarit e një viti në mijëra orë transmetimi janë selektuar me kujdes për të ngacmuar tek ju të qeshura dhe energji pozitive.

Kush është gafaxhiu më i madh i mbrëmjes, Dj Vini dhe Saix kanë dëgjuar çdo program dhe regjistrim për të sjellë një sallatë gallate para se vendin t’ja zërë sallata ruse e darkës më të rëndësishme të vitit për të gjithë, veç atyre që janë martuar ose bërë synet në 2021.

Salsano Rrapi dhe Adi Pojana, çifti i “Ndryshe” prezantojnë veten dhe kolegët e tyre me më të ‘këqijat’ e vitit.

Sigurohuni që të bëheni gati natën e 31 dhjetorit për të dëgjuar disa nga gafat më të bukura, ku padyshim që jo vetëm do surprizoheni, por edhe nuk do zhgënjeheni me notat e humorit që kemi përzgjedhur për ju.