Aktualitet

Transferimi i të dënuarve, MD: Nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje e re me Italinë!

Ministria e Drejtësisë hedh poshtë si “të pasakta” informacionet që flasin për një marrëveshje me Italinë lidhur me transferimin e të dënuarve. Në një deklaratë për media, ky dikaster thekson se “nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje e re në takimin Manja-Nordio”.

Më herët gjatë javës, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja vizitoi Romën dhe sipas mediave në vendin fqinj, me homologun Carlo Nordio, “arritën marrëveshjen që do të lejojë transferimin e 1 mijë e 940 të burgosurve shqiptarë në burgjet e vendit të tyre të origjinës”. Por, Ministria e Drejtësisë sqaron:

Shqipëria ka marrëveshje ekstradimi e transferimi me Italinë dhe bashkëpunojmë normalisht. Numri që përmendet është numri i shqiptarëve që gjenden në burgjet italiane dhe autoritetet respektive do të bashkëpunojnë për programe edukimi të përbashkëta.

Në disa media italiane shkruhej se “pas shtrëngimit të duarve mes kryeministres Giorgia Meloni dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, kanë nisur të shihen rezultatet e para. Më 14 nëntor u mbyll marrëveshja për riatdhesimin e 150 të burgosurve shqiptarë të mbyllur në burgjet e Venetos”. Ato citonin nënsekretarin e Padovas, Andrea Ostellari, i cili për takimin e të martës së kaluar shprehej:

Mora pjesë në takimin e zhvilluar pasditen e sotme mes ministrit të Drejtësisë, Carlo Nordio dhe homologut të tij shqiptar, Ulsi Manja. Të dy palët janë dakord dhe pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje revolucionare, e cila do të lejojë transferimin në institucionet e vuajtjes së dënimit të vendit të origjinës, të 1 mijë e 940 të burgosurve shqiptarë, aktualisht të mbyllur në burgjet italiane.  150 prej tyre janë në institucionet e Venetos.

Ostellari shtonte:

Kjo do të bëjë të mundur uljen e kostove të mirëmbajtjes dhe luftën kundër mbipopullimit në burgje, pa zbrazje të panevojshme të tyre. Tani mund të fillojë diskutimi me ekspertët, për të identifikuar zgjidhjet operacionale, për të garantuar që çdo i dënuar të përfundojë dënimin e tij të plotë, pa zbritje, sipas garancive të nevojshme.

Gazeta “The Independent” e Londrës zbulon të tjera detaje nga marrëveshja mes qeverisë angleze dhe asaj shqiptare për transferimin e të burgosurve shqiptarë nga burgjet angleze në ato shqiptare. Ky akord përfshin edhe ndihmën prej 1.5 milion paundësh për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve në Shqipëri.

Këto para do të përdoren për blerjen e 15 makinave elektrike dhe 22 furgonëve për transportin e efektivëve të Policisë së Burgjeve. Ministria e Drejtësisë do të paguajë rreth 8 milion paund, përfshi  të tjera fonde nga Home Office për këtë marrëveshje të transferimit të të burgosurve, që muajin e kaluar u finalizua në Londër nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Marrëveshja parashikon transferimin e më shumë se 200 të burgosurve shqiptarë, aktualisht në burgjet angleze, të dënuar me mbi katër vite heqje lirie. Sipas statistikave, në burgje e në paraburgim janë mbi 1400 shtetas shqiptarë, shumica për përfshirje në shtëpitë e barit.