Lifestyle

Tri filozofitë për punën që ndjekin njerëzit në vendin më të lumtur në botë!

Sipas raportit të lumturisë botërore për 2024, Finlanda zë vendin e parë për të shtatën vit radhazi, ndërsa nga ana tjetër, Afganistani është vendi më i palumtur. Vendet e para në këtë listë janë qytetet europiane, ku e dyta listohet Danimarka, ndërsa në vendin e tretë në listën e 140 vendeve qëndron Islanda. Në dhjetëshen e parë përfshihet Suedia, Izrael, Holanda, Norvegjia, Luksemburgu, Zvicra dhe Australia.

Shqipëria renditet e 87-ta në këtë listë duke shënuar një rënie në lidhje me një vit më parë, ku Shqipëria renditej në vendin e 83-të. Këtë vit e përfshirë në listë është edhe Kosova, ndryshe nga Shqipëria që në këtë listë renditet nga fundi, Kosova renditet e 29-ta. Studiuesit që analizuan gjetjet zbuluan gjithashtu se ata që kanë lindur para vitit 1965 janë më të lumtur se ata të lindur pas vitit 1980.

Dy faktorë ndikojnë në këtë “trofe” të finlandezëve; niveli i lartë i besimit te shteti dhe institucionet dhe fokusi absolut tek ekuilibri punë-jetë. Por, përtej këtij mentaliteti, duket se edhe në pjesën profesionale, ekzistojnë tre filozofi të suksesshme që finlandezët i përdorin më shpesh për t’u ndierë të motivuar dhe njëherësh të vlerësuar.

“Askush nuk lind profesionist”. Në thelb, kjo shprehje thekson faktin që ka gjithmonë vend për të mësuar gjëra të reja, pasi askush nuk lind i ditur. Ekspertët mendojnë se ndjekja e kësaj filozofie i shtyn njerëzit të besojnë më shumë në përmirësimin e aftësive. Pra, për finlandezët është në rregull të bësh gabime gjatë procesit të të mësuarit dhe punës në përgjithësi.

Të gjithë bashkë për të mirën e kompanisë. Punonjësit në Finlandë mund të kenë role dhe përgjegjësi të ndryshme në një kompani, por kur vjen puna te bashkëpunimi për një projekt apo ngjarje të rëndësishme, ata janë të gjithë bashkë si kontribuues të barabartë në këtë mision. Pra, në kulturën finlandeze të punës, hierarkia është vetëm njëra anë e medaljes kur vjen puna te zhvillimi dhe suksesi në tërësi i kompanisë.

Pavarësisht problemeve, duhet ecur përpara. Në Finlandë, filozofia e punës në kompanitë më të famshme, por edhe ato më të zakonshmet është të bërit e gjërave në grup dhe ecja përpara, pavarësisht problematikave që dalin rrugës. Në këtë mënyrë, ju ecni përpara me planin, ndërsa të panjohurat dhe problemet nuk bëhen pengesë për përmbushjen e të gjitha objektivave të kompanisë.