Bota

Finlanda shkon në balotazh presidencial!

Zgjedhjet presidenciale të Finlandës u drejtuan në një raund të dytë pasi asnjë nga nëntë kandidatët në votimin e së dielës nuk mori më shumë se 50% të votave të hedhura. Pas 12 vitesh nën udhëheqjen e presidentit popullor Sauli Niinistö, pasardhësi i tij tani do të vendoset më 11 shkurt, kur dy fituesit kryesorë do të përballen me njeri-tjetrin.

Pas numërimit të votave, ish-kryeministri konservator, Alexander Stubb kryesoi me 28.3%, i ndjekur nga Pekka Haavisto i Partisë së Gjelbër, ish-ministër i Jashtëm me 25.8%.

Kryetari i parlamentit, Jussi Halla-aho dhe ish-eurokomisioneri Olli Rehn dolën shumë prapa me rreth 16% të votave secili.

Rëndësia e postit të presidentit është rritur pas shtimit të tensioneve me Rusinë fqinje, që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022. Edhe pse kompetencat e presidentit janë të kufizuara, kryetari i shtetit, i cili është komandant suprem i Forcave të Armatosura të Finlandës ndihmon në drejtimin e politikës së jashtme, në bashkëpunim me qeverinë. Kjo nënkupton se ndryshimi i peizazhit gjeopolitik në Europë do të jetë shqetësimi kryesor gjatë dimrit.

Në garë ishin nëntë kandidatë, por dy konsideroheshin kryesorë: ish-kryeministri konservator, Alexander Stubb dhe ish-ministri i Jashtëm, Pekka Haavisto nga Partia e Gjelbër, i cili garoi si i pavarur. Raportet mes Moskës dhe Helsinkit u përkeqësuan pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, duke nxitur Finlandën t’i bashkohet NATO-s në prill 2023.

Rusia dhe Finlanda ndajnë një kufi prej 1.340 kilometrash. Në gusht 2023, Finlanda përjetoi një fluks të emigrantëve pa viza që hynë nga kufiri i saj lindor. Helsinki pretendoi se Moska po i shtynte të destabilizonin vendin dhe Finlanda mbylli kufirin lindor në nëntorin e kaluar. Stubb u shpreh:

Jemi në një situatë ku Rusia dhe sidomos Vladimir Putin po përdorin njerëzit si armë. Në këtë rast do të vendosim të parën sigurinë e Finlandës.

Rivali i tij, Haavisto theksoi se Finlanda “duhet t’i dërgojë Rusisë një mesazh të qartë se kjo situatë nuk mund të vazhdojë”. Pas Luftës së Ftohtë, Helsinki mbajti raporte të mira me Moskën.

Presidenti aktual, Sauli Niinisto, të cilit po i mbaron mandati i dytë gjashtëvjeçar, dikur e cilësonte veten “person me lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin”, por më pas u shndërrua në një nga kritikët më të ashpër të shefit të Kremlinit.