Aktualitet Rajoni

Ura e Bunës kushton 20 milion euro/Paguhet përgjysmë nga Shqipëria e Mali i Zi!

Ura mbi lumin Buna që lidh Shqipërinë me Malin e Zi do të kushtojë 20 milion  euro dhe pagesa ndahet 50 me 50 mes qeverive të të dy vendeve fqinje. Kjo u bë e ditur në konferencën e përbashkët mes kryeministrit Edi Rama dhe atij të Malit të Zi, Dritan Abazoviç pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, sot në Podgoricë. Abazoviç u shpreh:

Projekti do të kushtojë më shtrejtë nga sa e kemi menduar. Do të kushtojë 20 milion euro, por nëse ndahet përgjysmë nuk është shumë.

Projekti është gati dhe kryeministri Rama njoftoi se bëhet publik nesër, ndërsa një komision  i përbashkët mes dy shteteve do të hapë garën ndërkombëtare.

Projekti do të paguhet nga të dyja qeveritë. Ka një vlerë të jashtëzakonshme sepse do të lidhë dy anët e një kufiri që është 300 metra sa është ura.  Projekti i zbatimit është gati. Sfida është të ndërtojmë një procedurë që është hera e parë që ndodh. Dy qeveritë hapin një garë ndërkombëtare me një komision të përbashkët. Të dyja ekipet juridike të kryeministrive do të angazhohen për të nënshkruar procedurën e garën, ndërsa do të përcaktohet fituesi e ndërtohet ura.

Ura e gjatë 310 metra do të shkurtojë rrugën nga Plazhi i Madh i Ulqinit deri në Velipojë, nga 70 kilometra sa janë aktualisht.

Më herët, dy qeveritë nënshkruan 11 marrëveshje:

-Marrëveshje bilaterale midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi mbi ndërtimin e urës në lumin e Bunës. (Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazovic)

-Marrëveshje midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi për hapjen e pikës së përbashkët kufitare Shën Nikollë-Pulaj, në territorin Republikës së Shqipërisë ((Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazovic)

-Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e Energjisë midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Investimeve Kapitale të Malit të Zi (Ministrja e infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe Zv/kryeministri dhe Ministri  i investimeve kapitale Ervin Ibrahimovic)

-Marrëveshje  bashkëpunimi në fushat e mirëmbajtes dhe menaxhimit të përbashkët të peshkimit në liqenin e Shkodrës dhe lumin e Bunës, midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit të Malit të Zi.

(Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca dhe Zv/kryeministri dhe Ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe ujësjellsit Vlladimir Jokovic)

-Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjës së shëndetit të bimëve, midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit të Malit të Zi. (Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural Frida Krifca dhe Zv/kryeministri dhe Ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe ujësjellsit Vlladimir Jokovic)

-Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes sociale midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi (Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,  Ogerta Manastirliu  dhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Shoqërore Admir Adrović)

-Memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Rinisë dhe Fëmijëve të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Sportit dhe të Rinisë së Malit të Zi (Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, Ministrja  për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi dhe Ministri i Sportit dhe Rinisë Vasilije Llalloshevic.)

-Programi i bashkëpunimit kulturor midis Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Medias së Malit të Zi për periudhën 2023-2025 (Ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe Ministri i kulturës dhe Medias së Malit të Zi Masha Vllahovic)

-Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi midis Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi (Ministri i mbrojtjes Niko Peleshi dhe Drejtuesi i Ministrisë së Mbrojtjes Filip Axhic)

-Memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetit të Malit të Zi (Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Orgeta Manastirliu dhe Ministri i Shëndetit Dragosllav Shqekic).