Rajoni

Vaksinim i detyrueshëm për mbi 60-vjeçarët në Greqi!

Greqia nis aplikimin e gjobave për personat mbi 60-vjeç, të cilët nuk janë vaksinuar kundër koronavirusit. Në vendin fqinj, rregullat e reja kërkojnë që kushdo mbi kufirin e moshës, të paguajë një tarifë mujore prej 100 eurosh, nëse zgjedh të mos vaksinohet. Vendimi erdhi nëntorin e kaluar, për të hyrë në fuqi në fillim të këtij viti.

Autoritetet shtetërore shëndetësore greke do t’ua kalojnë autoriteteve financiare emrat e të pavaksinuarve. Paratë pritet të përdoren për të mbështetur spitalet në Greqi ku sfidat nga pandemia janë të mëdha.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis deklaroi:

Ka një mënyrë të lehtë për të shmangur ndëshkimin dhe kjo është vaksinimi!

Tashmë, Qeveria e Greqisë e konsideron këtë masë “të suksesshme”. Që nga shpallja e sanksioneve, gjashtë javë më parë, rreth 217 mijë njerëz mbi 60-vjeç janë vaksinuar. Kjo ka rritur në 90% shkallën e vaksinimit në këtë grupmoshë.  Por, shefi i qeverisë së Athinës përjashtoi vaksinimin e detyrueshëm për grupmoshat e tjera duke thënë se ishin kryesisht të moshuarit ata që sëmuren rëndë dhe duhet të trajtohen në spitale.

Në një tjetër zhvillim të lidhur me pasojat e pandemisë koronavirus, pasuria e 10 më të pasurve në botë është rritur më shumë se dyfish, përkatësisht në 1.5 trilion dollarë, prej shpërthimit të saj. Ndërkohë, më shumë se 160 milion persona u përballën me varfërinë, sipas të dhënave të organizatës britanike, Oxfam. Në raportin e publikuar sot, thuhet “të pasurit janë bërë edhe më të pasur”, kryesisht për shkak të stimujve fiskalë e monetarë, që iu rritën vlerën e aksioneve dhe aseteve.

Prej pandemisë COVID-19, një person është bërë miliarder çdo 26 orë. 10 më të pasurit kanë më shumë pasuri se 3.1 miliard të varfër në botë. Në raportin e Oxfam-it, bëhet thirrje për rritje të taksave për miliarderët. Sipas organizatës, me paratë e taksave të të pasurve mund të blihen vaksina anti-COVID, më pas të ndahen fonde për kujdesin shëndetësor e shpenzime tjera, që të ndihmohen ata më shumë në nevojë.