Bota

Vala e të nxehtit në Amerikë, 190 milion të prekur nga temperaturat ekstreme!

Vala ekstreme e të nxehtit, e cila prej javësh ka përfshirë rajonet jugore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e së fundmi është përhapur dhe në shtetet veriore ka prekur 190 milion njerëz. Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi “mot jashtëzakonisht të nxehtë” në qytetet verilindore të vendit, veçanërisht në Boston, Nju Jork e në Uashington DC.

Deklarata e Shërbimit të Motit:

Nxehtësia dhe lagështia kanë prekur 190 milion njerëz në gjithë vendin, duke përbërë rrezik për shëndetin publik.

Zyra e Shërbimit Kombëtar Meteorologjik në Nju Jork njoftoi se moti jashtëzakonisht i nxehtë pritet të zgjasë dy ditë dhe se në disa vende, temperatura e ajrit do të arrijë deri në 39 gradë Celcius, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos dalin jashtë pa nevojë e të përdorin kondicionerët.

Në rajonet Uashington DC dhe Baltimorë u paralajmërua se temperatura mund të rritet në 43,3 gradë Celcius.

Njerëzve iu kërkua të marrin masat e nevojshme

Qyteti i Feniksit në Arizona ka thyer rekordin me një temperaturë prej të paktën 43 gradësh Celcius pa ndërprerje për 28 ditë, ndërsa në Miami të Floridas, temperatura ka qëndruar në rreth 38 gradë Celcius për 46 ditë e në El Paso të Teksasit, për 42 ditë.

Kujtojmë se Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres deklaroi se korriku ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në historinë njerëzore. Tre ditë më parë, u shpreh:

Epoka e ngrohjes globale ka mbaruar dhe tashmë jemi futur në epokën e vlimit global.  Nuk kemi nevojë të presim deri në fund të muajit për ta zbuluar. Nëse nuk do të ketë një mini-epokë akullnajash ditët në vijim, korriku i vitit 2023 do të thyejë të gjitha rekordet.

Klima ka ndryshuar dhe ky është vetëm fillimi. Epoka e ngrohjes globale ka mbaruar, tani është koha për epokën e vlimit global. Për pjesë të mëdha të Amerikës së Veriut, Azisë, Afrikës dhe Europës, kjo verë është mizore. Për të gjithë planetin, është një fatkeqësi.

Për shkencëtarët është e qartë se njerëzit janë përgjegjës. E vetmja surprizë është shpejtësia e ndryshimit. Pasojat janë të qarta dhe tragjike: fëmijët që  marrin ujërat e shirave, familjet që u largohen flakëve, punonjësve që u bie të fikët në vapën përvëluese.

Përballë kësaj situate katastrofike, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, përsëriti thirrjet për veprim radikal e urgjent, sërish duke drejtuar gishtin nga sektori i karburanteve fosile.