Sociale

Varianti BA.2 i COVID, nuk infektohen personat që kanë kaluar Omicronin

Personat që kanë kaluar Omicronin, nuk infektohen nga nënvariantet e tij, të paktën 5 muaj pasi kanë kaluar sëmundjen.

Sipas ekspertëve, kjo shpjegon edhe faktin që në vendin tonë infektimet me mutacionin BA.2 janë në nivele të ulëta, pasi piku u shënua muaj më parë nga varianti Omicron i koronavirusit.

Për ekspertin e Komitetit Teknik, Andi Koraqi, pandemia është drejt fundit të saj. Situata në vendin tonë, veçanërisht në verë do të jetë edhe më e qete. Por mikrobiologu thotë se Covid-19 nuk do të zhduket, ndaj vaksinimi pas tij mbetet një proces i rëndësishëm.

Nënvarianti BA.2 i koronavirusit është bërë lloji dominues i koronavirusit të ri që po përhapet me shpejtësi, kryesisht në të gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

Çfarë është BA.2?
BA.2, i njohur gjithashtu si “stealth omicron”, konsiderohet një nënvariant i Omicron. Ky nënvariant shfaq disa ndryshime gjenetike shtesë që nuk shihen në versionin fillestar të Omicron, i cili është në vetvete variant i Covid-19.

“Ekspertët po vëzhgojnë nëse BA.2 duhet të klasifikohet dhe të monitorohet veçmas. Për momentin, nënvarianti po monitorohet në nivele lokale dhe në nivele shtetërore”, tha dr. Isaac Ghinai, profesor në Departamentin e Shëndetit Publik të Çikagos.

Sa ngjitës është BA.2?

Sipas disa ekspertëve të shëndetit, BA.2 duket të jetë më i transmetueshëm se Omicron.

“Ka katër mutacione unike që janë të dallueshme në BA.2 dhe që mund të nxisin më shumë transmetueshmërinë në një shkallë ngjitëse prej rreth 30% deri në 50% më të lartë sesa varianti fillestar”, tha dr. Gregory Huhn, mjek i sëmundjeve infektive.

Anthony Fauci, tha se BA.2 është rreth 50% deri në 60% më i transmetueshëm se Omicron, por gjithsesi deri më tani nuk shfaq simptoma të rënda.

“Ai ka rritur aftësinë e transmetimit. Megjithatë, duke parë rastet e infektuara, simptomat nuk duken të jenë të rënda. Gjithashtu, është parë se imuniteti natyral dhe vaksinat janë efektive ndaj këtij nënvarianti”.

Nga ana tjetër, dr. Michael Angarone, profesor në Departamentin e Sëmundjeve Infektive, Northwestern, tha se rritja e transmetimit mund të jetë më e lartë në rast kontakti të ngushtë me të infektuarit, por është ende shumë herët për të thënë.