Së fundmi një tjetër pacient ka ndërruar jetë pas operacionit me botoks në stomak në Turqi. Ngjarja u regjistrua në qytetin e Tuzlas, ndërsa në pranga janë vënë dy mjekë, të cilët pas verifikimeve përkatëse janë lënë në liri me kusht. Viktima është identifikuar si Hurise Gezmiş, shëndeti i së cilës u përkeqësua ndjeshëm pas botoksit në stomak. Në kuadër të hetimit të nisur pas ankesave të pacientëve, mjeku zyrtar i spitalit CCE, mjeku që ka kryer operacionin dhe pronari i kompanisë CT u ndaluan dhe më pas u liruan.
Mediat turke raportojnë se, kjo është vdekja e dytë brenda pak kohësh, kur në këtë spital një pacient ka pasur komplikacione dhe ka ndërruar jetë pas një ndërhyrjeje në stomak. Më 25 shkurt të këtij viti, ndërroi jetë një 46-vjeçar nga Turkmenistani, ndërsa në pranga ranë të njëjtët mjekë.
Kujtojmë se, më 22 mars, një hetim i BBC-së nxorri në pah se shtatë pacientë britanikë që udhëtuan në Turqi për t’iu nënshtruar një operacioni për humbje peshe ndërruan jetë në sallën e operacionit. Rikujtojmë, se Britania u trondit nga vdekja e një 28 vjeçarje që udhëtoi në Turqi për të bërë një operacion për humbje peshe. Siç raporton rrjeti britanik BBC dhe “Daily Mail”, 28-vjeçarja e quajtur Shannon Bowe ndërroi jetë gjatë një operacioni kirurgjikal për humbje peshe, i njohur si “gastrik banding”.