Aktualitet

Vdekja misterioze e 4 rusëve në Qerret, regjistrohet si vrasje!

Marrin një tjetër kthesë hetimet në vdekjen e 4 shtetasve rusë, dy femra e dy meshkuj, që mbrëmjen e së premtes u pagjetën të pajetë në një hotel në Qerret të Kavajës ku qëndronin si turistë. Fillimisht, u raportua se ishin asfiksuar nga qëndrimi i gjatë në sauna dhe u hodhën dyshime se konsumuan alkool e kokainë, por në vijim të hetimeve, të dyja këto variante u rrëzuan.

Ndërsa ngjarja është mbuluar nga misteri, me shumë pikëpyetje, tani vjen njoftimi se Drejtësia në Shqipëri e ka regjistruar për veprën penale të vrasjes. Ndërkaq, sot pritet me interes që Mjekësia Ligjore të nxjerrë ekspertizën, për të hedhur më shumë dritë për atë që ndodhi më 15 tetor me çiftin Natalia e Sergei Burenkov, të moshave 58 e 60-vjeç, vajzën e tyre Ekaterina Burenkova, 31-vjeçe dhe dhëndrin Nikita Belousov, 37-vjeç.

Kur të konfirmohet ekspertiza do të përcaktohet nëse kemi të bëjmë me vdekje aksidentale, vrasje apo vdekje për shkak te mosrespektimit të kushteve të sigurisë teknike për ambjentet e SPA-së dhe pishinës dimërore.

Ishin 8 turistë në grupin e rusëve që gjendeshin në vendin tonë e nga hetimet del se kanë konsumuar ushqim në të njëjtat vende. 4 të tjerë nuk kanë pasur asnjë pasojë nga ushqimi, ndërkohë nuk dihet nëse ata që kanë ndërruar jetë u helmuan apo jo. Hetimet po ndiqen nga Prokuroria e Kavajës dhe Policia Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme.