Aktualitet

Velipojë, shpërthejnë bombolat e gazit në një hotel, 4 të plagosur!

Katër të plagosur, mes tyre dy të mitur nga shpërthimi i disa bombolave gazi në një magazinë, në pjesën e pasme të një hoteli në Velipojë.

Kanë pësuar djegie të rënda në 80 deri në 90% të trupit, katër pjesëtarët e familjes Gjoka që u plagosën në mëngjes.  Të dëmtuarit po trajtohen me mjekim intensiv në Repartin e Djegies Plastike në QSUT.

E lënduar mbeti Alketa Gjoka, me tre fëmijët e saj, dy prej të cilëve të mitur, të moshave 12 e 15-vjeç. 40-vjeçarja tentoi sot të ndizte bombolën e gazit por ka patur rrjedhje, çka çoi në shpërthimin e saj duke shkatërruar thuajse të gjithë hotelin që përgatitej të priste turistët e parë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 07:00 të mëngjesit.

Gjithashtu mësohet se ndërhyrja e forcave zjarrfikëse e të policisë parandaloi një tragjedi duke nxjerrë jashtë mjediseve të magazinës, 5 bombola që ishin gati të shpërthenin.

Shpërthimi i bombolave të gazit është fenomen shqetësues dhe i përsëritur në vendin tonë, ndërrimi i të cilave siç përsërisin vazhdimisht autoritetet duhet bërë vetëm nga njerëz të autorizuar. Ndërkaq, ato që njihen si portokalli nuk duhet të rimbushen për t’u përdorur përsëri.