Aktualitet

Video skandali në zyrë/ Safet Gjici dënohet me tre vite burg për shpërdorim detyre! Alma Kaçi me një vit burg për prostitucion!

Ish-kryetari i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici dënohet me tre vite burg për shpërdorim detyre, i cili ulet në dy vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha e cila ka ndjekur vijueshmërinë e seancës, tha se Alma Kaçi u dënua me një vit burg për prostitucion.

Safetit gjithashtu i hiqet edhe e drejta për të ushtruar funksione publike për pesë vite.

Përparim Kulluri avokat i Gjicit tha për mediat se ky vendim është i padrejtë dhe se do t’i drejtohet Apelit me kundërshtime duke këmbëngulur se Gjici është i pafajshëm.

Gjici u përlot sot gjatë seancës që u zhvillua ndaj tij, ku edhe foli për herë të parë për video skandalin.

Teksa i kërkoi falje familjarëve të tij dhe banorëve të Kukësit, Gjici tha se nuk ka shkelur ligjin, por etikën.

“Dënimi është moral, u kërkoj falje familjareve të mi dhe qytetarëve të Kukësit”-tha i përlotur Gjici.

Mbrojta e Gjicit insiston që Alma Kaçi është paguar për të realizuar videon dhe po ashtu, ajo ka pasur komunikime me Abedin Oruçin në lidhje me çështjen e videos dhe kartën memorie që është bërë regjistrimi.

Sipas mbrojtjes, prokuroria nuk ka gjetur pajisjen origjinale me të cilën është bërë regjistrimi sepse ne bazë të akt ekspertimit të kart memories që u gjet në gotë me të cilën dyshohet se u bë regjistrimi, nuk rezulton që të jetë e regjistruar aty.

“Pamjet janë gjetur tek një usb në banesën e Kaçit. Po ashtu njohja mes Abedinit dhe Almës është e hershme dhe ata kanë folur vazhdimisht me njëri-tjetrin në lidhje me këtë çështje. Pse prokuroria nuk hetoi faktin që Abedin Oruçi i ka dhënë prokure avokatit që ta përfaqësojë në çdo shkallë gjyqësore? Po ashtu pse prokuroria në datën 9 tetor kur e ka pyetur Abedin Oruçin nuk i ka kërkuar shpjegime për komunikimet me Almën”-shprehet mbrojtja e Safet Gjicit.

Sipas mbrojtjes në datë 23 maj 2023 ka qenë takimi i parë mes Safet Gjicit dhe Alma Kaçit, kohë në të cilën ata kanë kryer marrëdhënie.