Aktualitet

Vidhnin energjinë elektrike, të arrestuar e procedime penale në 9 raste!

9 raste të vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar orët e fundit nga kontrollet e përbashkëta të Policisë me OSHEE-në. Uniformat blu bëjnë të ditur se në Tiranë e Kamëz u arrestuan në flagrancë 2 shtetas, si dhe u shpall në kërkim një tjetër në Kavajë, ndërsa u proceduan penalisht 6 të tjerë, në Shkodër, Lezhë, Klos e Krujë. Në disa raste, kishin bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, si dhe ndërhyrje në matësit elektrikë në banesa, për të vjedhur energjinë.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 është arrestuar në flagrancë shtetasi E. P., banues në Tiranë, ndërsa nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 është arrestuar në flagrancë shtetasi K. D., banues në Kamzë. Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë është shpallur në kërkim shtetasi S. B., banues në Kavajë.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër kanë proceduar penalisht shtetasit B. H., S. B. dhe K. Q., banues në Shkodër.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë është proceduar penalisht shtetasi Gj. L., banues në Lezhë.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mat është proceduar penalisht shtetasja S. S., banuese në Klos.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë është proceduar penalisht shtetasi P. N., banues në Gramz.

Strukturat e Policisë do të vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë në cilëndo fushë që ajo shfaqet.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë.