Aktualitet

Vlorë, merr udhë ndërtimi i Tunelit të Llogarasë!

Në Vlorë, sot nisi puna në kantierin e ri për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, vepër madhore që shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit në bregdetin jonian, si dhe mbështet zhvillimin e mëtejshëm turistik të Shqipërisë.

Kryeministri Rama tha se po realizohet një ëndërr:

Një ditë e shënuar në kapitullin e ditëve të punëve të mëdha publike, sepse sot nis të realizohet një ëndërr që na ka shoqëruar përgjatë atyre dekadave pas ndryshimit të sistemit në këtë zonë, por edhe këdo që ka parafytyruar një Shqipëri të re moderne, turistike. Tanimë e kemi futur në rrugën e jetësimit në realitet.

Krahas mundësive të reja për turizmin, Rama foli për zhvillimin e zonave rurale.

E gjithë pjesa e fshehur përtej zonës së plazhit mes maleve të Labërisë, e cila shtrihet deri tutje në Tepelenë e pastaj lidhet me pjesën tjetër të fshehur të Përmetit e Gjirokastrës dhe deri në Leskovik e Kolonjë e në kufi me Korçën, tanimë po lidhet me një infrastrukturë krejtësisht të re, që krijon mundësi të reja për turizmin, zhvillimin e zonave rurale, për ekonominë e tyre, si edhe për ekonominë tonë kombëtare.

Kryeministri shpjegoi rëndësinë e ndërtimit të tunelit, sidomos në aspektin e turizmit.

Tuneli do të bëjë të mundur një shkurtim të konsiderueshëm të kohës, rritje të sigurisë dhe lidhje organike me segmentin tjetër, i cili është në ndërtim e sipër, ai i Orikumit dhe pastaj me By-Pass/in e Vlorës, që do të jetë plotësisht i kryer në sezonin e ardhshëm turistik e më tutje me By-Pass/in e Fierit, nëse shohim drejt Veriut. Nëse shohim drejt Jugut, po punohet në një tjetër segment që lidh Palasën me pjesën tjetër të bregut drejt Dhërmiut, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin në një zonë që po njeh zhvillim të konsiderueshëm nga pikëpamja e ofertës turistike, për të shkuar në një tjetër vepër, një nga të shumëkërkuarat, Kardhiq-Delvinë e që është në rrugën e realizimit, si dhe bën një tjetër shkurtim të kohës së lëvizjes, duke e afruar ndjeshëm Sarandën e duke ofruar pamje dhe zona të tëra për t’u vizituar, që deri dje ishin të paaksesueshme e të panjohura. Pa harruar rrugën e lumit të Vlorës dhe lidhjen mes Kurveleshit e bregut të Jonit poshtë, duke mos lënë mënjanë pjesën tjetër që lidh Nivicën me Tepelenën e pastaj drejt Përmetit, që ndërkohë po lidhet me një rruge të re me Leskovikun, për të kaluar në Kolonjë, për të kaluar në lidhjen përfundimtare me Korçën dhe duke i dhënë mundësi turistëve brenda apo atyre që vijnë nga jashtë, që në një kohë të shkurtër të qarkullojnë në të gjithë këto territore, gjë e cila ishte e pamundur më parë.

Tuneli i Llogarasë do të ndërtohet nga një konsorcium, pjesë e të cilit është edhe kompania turke ASL, e njohur për eksperiencën e saj në infrastrukturë, konkretisht për ndërtimin e tunelit më të gjatë në kontinentin tonë. Rama shprehu besimin se kompania do të mund të përfundojë punimet më shpejt se zotimi për afatin 33 muaj.