Aktualitet

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj, arrestohet në Marok vrasësi i dyshuar, Ruben Saraiva! Pritet ekstradimi në Shqipëri

Është arrestuar nga policia në Marok, Ruben Saraiva, vrasësi i dyshuar i Ardian Nikulajt më 19 prill në lokalin e tij në Shëngjin. Policia marokene, pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Rabat, Marok, ka bërë të mundur lokalizmin në Rabat, Marok, kapjen dhe vënien në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, të shtetasit portugez Ruben Saraiva, 28 vjeç.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin të datës 26 prill ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me autoritetet marokene, po punon për të bërë të mundur ekstradimin e 28-vjeçarit, drejt Shqipërisë.

Policia thotë se vijon intensivisht puna kërkimore në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen edhe të shtetasit të fundit të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje.

Katër të arrestuarit disa ditë më parë në Londër, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e biznesmenit janë Edmond Haxhia, Stephen Hunt, Thomas Mithan dhe Harriet Bridgeman, ndërsa Harry Simpson është ende në arrati. Ata ranë në pranga gjatë një operacioni të koordinuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Metropolitane angleze dhe agjencinë kundër krimit të organizuar, e njohur si FBI-ja angleze, NCA.

Ekzekutori portugezi Ruben Saraiva

Financuesit dhe organizatorët në Angli të ekzekutimit mafioz të Ardian Nikulajt përzgjodhën si ekzekutor portugezin Ruben Saraiva. Prej më shumë se 10 vitesh ai jetonte në Angli. Përzgjedhja jo e rastësishme. Kjo nga e shkuara e tij kriminale dhe përvoja në mbajtjen dhe përdorimin e armëve në kryeqytetin anglez. Skeda e tij personale tregon se Ruben Saraiva gjatë 10 viteve të fundit është përfshirë në krime që lidhen me mbajtjen e armëve të zjarrit pa leje.

Dënimi i tij i parë nga një gjykatë angleze lidhet për armëmbajtje pa leje. Pas daljes nga burgu për këtë vepër penale ai akuzohet dhe dënohet për dëmtime trupore të rënda ndaj një personi. E shkuara kriminale e vrasësit të Shëngjinit, ardhur nga Anglia nuk mbaron me kaq. Sërish në vitin 2017 dënohet për mbajtje arme pa leje. Dënimi i tij i fundit në Angli lidhet me posedim kokaine për qëllime shitje.

Sipas policisë shqiptare Ruben Saraiva mbërriti në Lezhë në muajin shkurt duke qëndruar në fshatin Karriq. Pas vrasjes në 19 prill, ai u largua në drejtim të Greqisë, ku policia shqiptare po bashkëpunon me atë greke për ta kapur, ndërsa vijon të jetë në arrati.