Aktualitet

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, një tjetër anglez në pranga!

Vrasja në prill e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, merr fund arratia e një tjetër anglezi në rolin e vëzhguesit. Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu mëson se pas shumë ditë kërkimesh, Skuadra Kombëtare e Ekstradimeve pranë NCA-së, FBI-ja angleze, arrestoi Harry Simpson-in. Lokalizimi dhe arrestimi i tij u krye në qytetin e Londrës, mbrëmjen e djeshme.

Simpson, i cili njihet nga drejtësia angleze, sot del para gjykatës, për t’u njohur me masën e sigurisë. Hetimet në Shqipëri zbuluan se ditën kur u ekzekutua Ardian Nikulaj, Harry Simpson furnizonte me informacione vrasësin portugez, Ruben Saraiva.

Po atë ditë u largua me urgjencë nga Shëngjini dhe mbërriti në Rinas përmes dy taksive. Sipas dosjes hetimore, rrugës ndërroi rrobat e tentoi të kalonte kontrollin policor të kufirit në Rinas, pa treguar pasaportën.

Me arrestimin e Simpson-it kompletohet kapja e grupit të dyshuar si zbatues për ekzekutimin e biznesmenit të njohur nga Shëngjini.

Pak orë pasi Gjykata e Lezhës lëshoi 6 urdhër-arreste, Drejtoria për Marrëdhëniet me Jashtë në Policinë e Shtetit ia dërgoi Interpolit nga ku dolën “Kartelat e Kuqe”. Një gjykatës i gatshëm në Londër i vlerësoi të drejta urdhër-arrestet e lëshuara në Shqipëri.

Harry Simpson është banues në Abbey Wood, në jug të Londrës. Sipas prokurorisë angleze, në shkurt të vitit 2015, Simpson u arrestua për shitje kokaine e kanabisi. 24-vjeçari Simpson po udhëtonte me një makinë tip BMW kur u ndalua dhe u kontrollua nga policia. Rezultoi se po drejtonte një mjet pasi i ishte hequr patenta dhe pa siguracion. Për të mos marrë një dënim maksimal, ai pranoi akuzat. Gjykata e dënoi Simpson-in me 5 vite dhe 3 muaj burg.

Policia e Shtetit

Punë intensive lokalizuese dhe kërkime të kryera në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, të kryer në Shëngjin, më datë 19 prill 2023. Lokalizohet dhe kapet në një banesë në Londër, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, shtetasi i fundit i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor për kryerjen e kësaj vrasjeje. Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë të strukturave të Policisë së Shtetit, me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, me qëllim lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, si dhe falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Manchester, u bë i mundur lokalizimi në një banesë në Londër, kapja dhe arrestimi me qëllim esktradimin, i shtetasit të shpallur në kërkim H.S. alias J.S., 32 vjeç, lindur dhe banues në Mbretërinë e Bashkuar. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka caktuar për shtetasin H.S. alias J.S., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi akuzohet se në bashkëpunim me 5 shtetas të tjerë (në rolet e porositësit, ekzekutorit dhe 3 bashkëpunëtorëve të tjerë), ka qenë i implikuar në vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, të kryer në Shëngjin, më datë 19 prill 2023. Interpol Tirana vijon veprimet procedurale, në bashkëpunim me Interpol Manchester, me qëllim ekstradimin e 32-vjeçarit, drejt vendit tonë.