Aktualitet

Vrasja në Lezhë e Nikolin Gjergj Lekstakajt, dyshohet hakmarrje për Ardian Nikulajn!

Vazhdojnë hetimet lidhur me vrasjen e një dite më parë në Lezhë ku gjeti vdekjen një 42-vjeçar. Viktimë mbeti Nikolin Gjergj Lekstakaj. Ai u qëllua për vdekje nga persona ende të paidentifikuar teksa po dilte nga një market në Balldre, me një pije freskuese në dorë.

Banorët e zonës treguan se në momentet e ngjarjes dëgjuan dhe xhirime të forta të gomave të një automjeti të errët, me xhama të zinj.

Dyshohet se ngjarja ka lidhje me vrasjen në Shëngjin të biznesmenit Ardian Nikulaj, më 19 prill të këtij viti, pra tre muaj më parë.

Dyshimet e policisë janë se pista kryesore e vrasjes së Nikolin Gjergj Lekstakajt në Lezhë është gjakmarrja. Dje në një prononcim për mediat nga vendi i ngjarjes, drejtori i policisë vendore, Alfred Elezi deklaroi:

E morëm njoftimin rreth orës 18:30. Eshtë ngritur grupi hetimor dhe po punohet për dokumentimin e plotë të rastit. Akoma jemi në fazat e para të hetimit të rastit. Dyshojmë për gjakmarrje. Në përfundim do të njoftojmë sërish.

Elezi nuk dha detaje të tjera, ndërsa në njoftimin zyrtar të bluve thuhet:

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorit/ëve.

Sot u raportua për 5 të shoqëruar për t’u marrë në pyetje.