Aktualitet

Vrasja e Indrit Ndojt, arrestohen dy vëllezër të dyshuar për ngjarjen!

Vëllezërit Sajmir Miri 39 vjeç dhe Landi Miri 18 vjeç, janë arrestuar ditën e sotme si autorë të dyshuar për vrasjen e Indrit Ndojt, një ditë më parë në Fushë-Krujë.

Policia në njoftimin zyrtar, bën me dije se 34-vjeçari nuk është vrarë me armë zjarri, por me një send të fortë prerës.

Blutë njoftojnë se nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore, këqyrja e vendit të ngjarjes, këqyrja e trupit të viktimës, si dhe mekanizmi i ngjarjes, ka rezultuar se në trupin e viktimës ka një plagë në këmbën e djathtë, që është shkaktuar nga një mjet i fortë shpues / preres dhe për shkak të gjakderdhjes, 34-vjeçari ka humbur jetën.

Grupi hetimor, gjatë veprimeve hetimore ka sekuestuar në vendngjarje dhe në banesën e dy vëllezërve, prova ligjore që implikojnë dy vëllezërit në vrasjen e 34-vjeçarit.

Paraprakisht dyshohet se dy vëllezërit janë konfliktuar fizikisht, për motive të dobëta, me 34-vjeçarin, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe e kishte thyer masën duke dalë në rrugë.

Në konflikt e sipër, ata e kanë goditur me një mjet të fortë shpues 34-vjeçarin dhe më pas janë larguar.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja”, e kryer në bashkëpunim.