Aktualitet

Vrasja e kunatit në Greqi, viktima ngacmonte seksualisht të tjera vajza të mitura!

Mediat greke publikojnë të dhëna të reja lidhur me vrasjen në Volos të 33-vjeçarit shqiptar Erion Pelivani, nga kunati 50-vjeç, pasi ky i fundit mësoi se prej vitesh, vëllai i gruas së dytë i përdhunonte vajzën 18-vjeçe nga martesa e parë. Madje, e kërcënonte me publikim të videove dhe fotove intime, në këmbim të parave. Avokati i autorit, Fatmir Talellari u shpreh:

Autori i ka kuptuar përmasat e pasojave të veprimit të tij dhe e vetmja gjë që e shqetëson është e ardhmja e fëmijëve. Ai pyet vetëm për fëmijët dhe shqetësohet si do të jetojnë, pasi ai ishte mbështetës i tyre. I ka siguruar në jetë, i ka mbështetur financiarisht.

Në mbështetje të pretendimeve të 18-vjeçares dolën edhe motrat e saj, ndërsa mësohet se për ngjarjen kanë patur dijeni edhe të tjerë. Në një prononcim për televizionin ASTRA, Alexis Kougias, pjesë e ekipit mbrojtës së autorit tha se “ka një element tronditës” në çështjen që pritet të zbardhet ditët në vijim.

Ka një element tronditës, që është element zyrtar. Nuk dua të zbuloj asgjë më shumë. Megjithatë, ka një element që në një moment të pakundërshtueshëm, para se njeriu që unë mbroj të kryente aktin e kundërligjshëm pasi kishte mësuar se çfarë po kalonte vajza e tij, ajo ia kishte treguar më herët profesorit të saj në universitetin që ndjek.

Njëkohësisht, persona nga rrethi i afërt i 18-vjeçares nxjerrin në dritë fakte të reja. Një mikeshë e saj raporton se 33-vjeçari e vizitonte në shkollë dhe e priste jashtë.

Ai vinte jashtë shkollës, priste gjithmonë që vajza të mbaronte mësimin. Ai ngacmonte edhe vajza të tjera të mitura, madje ajo kishte ndërhyrë duke i kërkuar të ndalonte pasi ishin shumë të reja. Në përgjithësi ngacmonte vajza nën 18 vjeç, pra të mitura.