Aktualitet

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, nis seanca në Apel për Paplekajn!

Në Gjykatën e Apelit ka nisur seanca për Arbër Paplekajn, i dënuar me 22 vite burg për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, në zgjedhjet parlamentare të 2021.

Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm vendosi më 4 mars rihapjen pjesërisht të procesit dhe në senacën e sotme trupa gjykuese ka urdhëruar që Arjan Hako, ekspert i Institutit të Policisë Shkencore dhe 2 ekspertë të pavarur, Artan Rexhepi dhe Shpëtim Buda, do të rindërtojnë skenën e krimit.

Mësohet se eksperti i Policisë së Shtetit ka deklaruar në seancë se “nuk mund të marrë pjesë në këtë proces, nuk ma lejon rregullorja e punës”.

Paplekaj kërkon edhe rikualifikim të veprës penale, nga vrasje me dashje në vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike. Në seancën e sotme, prokuroria pritet të japë informacion edhe për procedimin e pezulluar për personat e tjerë që kanë qëlluar me arme zjarri në vendin e ngjarjes gjatë përplasjes së grupeve të militantëve PD-PS.

Arbër Paplekaj, është dënuar me 22 vite burg nga shkalla e parë për vrasjen e Pjerin Xhuvanit më 21 prill 2021, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare. Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.

Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një grupi të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës.

Për vrasjen e Xhuvanit, u dënuan me 1 vit shërbim prove dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla. Po ashtu dënim me nga 16 muaj shërbim prove u vendos edhe për 6 efektivët e “Shqiponjave” Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu.