Bota

Vrasja e presidentit të Haitit, pranga një të dyshuari!

Shefi i Policisë Kombëtare të Haitit njoftoi arrestimin e një shtetasi haitian, i cili në qershor hyri në vend me një avion privat e dyshohet se bashkëpunoi me organizatorët dhe vrasësit e dyshuar të presidentit Jovenel Moïse, më 7 korrik.

Léon Charles, e identifikoi si Christian Emmanuel Sanon e tha se “udhëtoi në Haiti për qëllime politike”.

Sanon shoqërohej nga roje sigurie që si mision fillestar kishte ta ruanin por më pas u ngarkuan me arrestimin e kryetarit të ndjerë të shtetit.
Pas vrasjes së presidentit Moïse javën e kaluar, një nga autorët e dyshuar telefonoi Sanon-in e më pas ky i fundit, thirri dy persona të tjerë, ende të paidentifikuar, të cilët policia i konsideron si organizatorët e vrasjes.

Gjithashtu, policia ka arrestuar 18 kolumbianë dhe tre haitianë në lidhje me sulmin ndërsa të paktën pesë persona të tjerë besohet se ende janë në arrati. Pas marrjes në pyetje të të arrestuarve, policia beson se të paktën disa nga të dyshuarit ishin punësuar nga kompania “CTU Security”, me seli në Majemi të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Moïse u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij në kryeqytetin haitian, Port-au-Prince, të mërkurën në mëngjes. Zonja e Parë, Martine Moïse u plagos rëndë gjatë sulmit dhe u dërgua në Majemi për mjekim.

Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara dërguan një ekip teknik në Haiti për të vlerësuar situatën e sigurisë dhe nevojat e tjera. Ekipi përfshin personel nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe Byroja Federale e Hetimit, FBI.

Amerika refuzoi kërkesën e Haitit për dërgim trupash, për të shtypur dhunën sporadike që pasoi vrasjen por u zotuan të ndihmojnë hetimin. Një zyrtar i administratës Biden tha se “Shtetet e Bashkuara do të këshillohen gjithashtu me partnerët rajonalë dhe Kombet e Bashkuara lidhur me trazirat në Haiti”.