Bota

Vriten tre civilë në Ukrainë nga sulmet e vazhdueshme ruse!

Tre civilë janë vrarë sot nga një sulm rus në rajonin juglindor Zaporizhja. Rusia i vazhdon pa ndalim sulmet ajrore dhe të artilerisë ndaj qyteteve e fshatrave ukrainase, siç konfirmojnë zyrtarët lokalë.

Dy burra dhe një grua humbën jetën nën gërmadhat e shtëpisë së tyre, pasi banesa u godit nga një predhë ruse.

Njoftimin e dha guvernatori Ivan Fedorov, në një postim në Telegram. Federov u shpreh se një person tjetër u plagos kur forcat ruse bombarduan qytetin me raketahedhës. Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës bëri të ditur se Rusia kreu 88 sulme ajrore gjatë natës, duke lëshuar 17 dronë Shahed e 10 raketa.

Kundërajrorët ukrainas i shkatërruan të 17 dronët rusë, sipas ushtrisë ukrainase. Dronët u rrëzuan në rajonet Dnipropetrovsk, Harkiv e Poltava. Më shumë se 100 fshatra ukrainase u përballën me zjarrin e artilerisë ruse në rajonet ukrainase Çernihiv, Donjeck, Dnipropetrovsk, Harkiv, Herson, Luhansk, Mikolaiv dhe Zaporizhja, sipas Shtabit të Përgjithshëm.

Ushtria theksoi edhe se 57 luftime u zhvilluan mes trupave ukrainase e forcave pushtuese ruse orët e fundit. Ukraina zmbrapsi 26 sulme ruse në rajonet lindore Donjeck e Luhansk, si dhe kreu sulme ndaj pozicioneve ruse në 11 zona, duke u shkaktuar atyre “humbje në ushtarë dhe pajisje”, raportoi ushtria.

Forcat e armatosura njoftuan se trupave ushtarake ruse iu shkaktuan 820 viktima dhe iu shkatërruan 17 tanke, 54 autoblinda e 54 sisteme të artilerisë gjatë 24 orëshit të fundit. Por, ky pretendim nuk mund të vërtetohet në mënyrë të pavarur.

Presidenti Zelensky thekson se Ukraina duhet të përgatisë një numër të madh ushtarësh, përfshirë rezervistë për të ndalur ofensivën më të fundit të Rusisë në luftën tashmë mbi dyvjeçare. Në një intervistë televizive, Zelensky e përshkroi si “të vështirë, por momentalisht të qëndrueshme”, gjendjen në vijën e frontit.

Duhet të përgatiten brigada për të zëvendësuar ata që janë duke luftuar aktualisht dhe kjo nënkupton se një numër i madh i rezervistëve duhet të jenë të gatshëm.

Rezervat nuk përbëhen vetëm nga gra dhe burra të rinj, por nga njerëz me përvojë, të cilët kanë kryer stërvitje ushtarake dhe kanë përvojë në luftime.

Intervista e Zelenskyt u transmetua pak orë pasi Rusia e sulmoi Harkivin me dronë, duke vrarë së paku shtatë njerëz dhe duke plagosur 10 të tjerë. Qyteti i dytë më i madh i Ukrainës është përballur me sulme shumë të shpeshta në javët e fundit.