Bota

Vritet një gazetar francez në Ukrainë, stopohet evakuimi i civilëve

Një gazetar francez është vrarë kur një transportues i blinduar, që po përdorej për evakuimin e civilëve në rajonin ukrainas të Luhaskut, u godit nga granatimet ruse.

Guvernatori rajonal, Serhiy Hayday, shkroi në Telegram se kjo makinë transportuese ishte planifikuar që të merrte dhjetë persona për t’i evakuuar, por u qëllua “nga zjarri i armikut”.

“Copëzat e predhave depërtuan në makinë, dhe një gazetar i akredituar francez është lënduar në mënyrë fatale në qafë. Ai po raportonte për evakuimet, ndërkaq një zyrtar policor i shpëtoi sulmit”, tha Hayday.

“Ne zyrtarisht po e ndalojmë evakuimin”, shtoi ai.

Hayday po ashtu postoi një fotografi, që tha se ishte kartela e akreditimit të gazetarit, edhe pse ende nuk është konfirmuar nëse personi që shihet në këtë kartelë është gazetari që është vrarë.

Sulmi i artilerisë ruse në Kherson Oblast vrau një vajzë 9-vjeçare dhe plagosi 2 fëmijë të tjerë, raportoi Kyiv Independent.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm konfirmoi gjithashtu se një bombë ruse goditi fshatin Myroliubivka, në rajonin kryesisht të pushtuar, dje më 29 maj, duke plagosur një djalë shtatë muajsh dhe një vajzë pesëvjeçare.

Ndërkaq, një shpërthim ka plagosur dy persona në qytetin Melitopol të kontrolluar nga Rusia, thonë autoritetet lokale pro-Moskës.Udhëheqësit separatistë të qytetit në Ukrainën juglindore, të instaluar nga Kremlini pasi ra në ditët e para të luftës, po fajësojnë qeverinë e Ukrainës për atë që ata e quajtën “sulm terrorist”.

Autoritetet e Melitopol thonë se sulmi kishte “qëllim për të destabilizuar jetën paqësore të qytetit”.Sipas autoriteteve, një makinë e mbushur me eksploziv shpërtheu në qendër të qytetit, duke plagosur dy persona – një grua 28-vjeçare dhe një burrë 25-vjeçar që punonin si vullnetarë të “ndihmave humanitare”.

“Qeveria e Ukrainës vazhdon luftën e saj kundër popullsisë civile dhe infrastrukturës së qyteteve”, thuhet në deklaratën e tyre.

Retë tymi të zi po dilnin mbi qytet pas shpërthimit, i cili thuhet se tronditi dritaret dhe muret e ndërtesave në zonë. Disa raporte sugjeruan se shpërthimi ndodhi pranë shtëpisë së kreut të instaluar nga Rusia të rajonit të Zaporizhzhia, Yevgeny Balitsky.

Javën e kaluar, kryetari i bashkisë së Enerhodar, i mbështetur nga Rusia, një qytet tjetër në rajonin e Zaporizhzhia nën autoritetin e Kremlinit, u plagos në një shpërthim.