Aktualitet Politikë

“Zgjedhje pa rregulla loje nuk mund të ketë”, Basha: Duam t’u japim pushtetin qytetarëve për të zgjedhur deputetët dhe jo kryetarët!

Nga Lezha, kryetari i PD Lulzim Basha ritheksoi qëndrimin e opozitës në zgjedhje.

Basha tha se pa rregullat e lojës, nuk ka asnjë shans që të kemi një rrugë të hapur drejt një sistemi zgjedhor.

“Qëndrimet tona për zgjedhjet tashmë janë institucionalizuar. Padiskutim që garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të kërkojë shumë më shumë sesa rregullat e lojës. Por pa rregullat e lojës, nuk ka asnjë shans që të kemi një rrugë të hapur drejt një sistemi zgjedhor ku qytetarët vendosin se kush do të shkojë në parlament dhe jo kryetarët e partive. Kjo është arsyeja pse PD ka dorëzuar jo thjesht në emrin e saj apo të opozitës, por në emrin e interesit të çdo qytetari propozimet për listat e hapura. Porpozimin për Shqipërinë një zonë zgjedhore, për votimin elektronik dhe numërimin elektronik dhe për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Propozimi për listat e hapura nuk është një manovër politike apo partiake, është zotimi ynë që parlamenti të mos jetë më një konstelacion i atyre që vijnë nga listat e mbyllura të përcaktuara nga kryetarët e partive sipas formulës kushtetuese të 2008-ës. Që ishte dhe fillimi i fundit të Republikës së parë pluraliste në Shqipëri dhe që sot është kthyer në një pronë private të Edi Ramës dhe të çirakëve të tij në qeveri”, tha Basha.