Aktualitet Politikë Sociale

Zgjedhjet në Kukës, miratohet orari dhe fleta e votimit!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi këtë të martë për fletën e votimit dhe orarin e procesit, kur qytetarët e Kukësit mund t’u drejtohen Qendrave të Votimit në 24 shtator.

KQZ mori vendimin qe fleta e votimit të jetë në ngjyrë të artë, njësoj si ajo në zgjedhjet lokale të 14 majit. Ndërkohë, QV do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.

1 shtatori është afati i subjekteve zgjedhore për t’u regjistruar pranë KQZ-së dhe 8 shtatori është afati për kandidatët politikë.

Deri më tani, Partia Socialiste dhe Grupi i Rithemelimit kanë zgjedhur kandidatët, me të cilët synojnë të marrin drejtimin e Bashkisë së Kukësit, pas shkarkimit të Safet Gjicit, të përfshirë në skandalin seksual.

PS ka zgjedhur Albert Halilaj-n, ndërsa përmes Primareve, Rithemelimi ka zgjedhur Emri Vatën. Ndërkohë, Partia Demokratike zyrtare pritet të marrë një vendim nëse do ketë apo jo kandidatë të mërkurën e 30 gushtit, ku ka thirrur kryesinë e PD-së.