Bota

Zgjedhjet në Pakistan mes dhunës dhe pasigurive!

Miliona pakistanezë po sfidojnë motin e ftohtë për të votuar sot në zgjedhjet parlamentare. Kjo në një kohë kur dhuna është duke u rritur, së bashku me problemet ekonomike dhe politike. Votimi që nisi në 08:00 të mëngjesit me orën lokale, po mbahet një ditë pasi  30 persona u vranë nga dy shpërthime të lidhura me zgjedhjet në provincën Baluchistan, në jugperëndim të Pakistanit. Po ashtu në kohën kur inflacioni ka arritur gati në 30% dhe ish-kryeministri Imran Khan, politikani më i njohur në vend është në burg.

Më shumë se 650 mijë ushtarë, policë dhe paraushtarakë janë angazhuar për të ofruar siguri në vend, gjatë këtyre zgjedhjeve. Sondazhet parashikuan një pjesëmarrje të vogël në zgjedhje, në vendin ku 128 milion njerëz kanë të drejtë vote. Kjo për shkak të pengimit të partisë së Khanit, Pakistan Tehrik-e Insaf (PTI) dhe dy shpërthimeve të djeshme, që ndodhën pranë zyrave të kandidatëve. Përgjegjësinë për këto sulme e mori Shteti Islamik.

Autoritetet ngulën këmbë se dhuna nuk do ta ndalte zhvillimin e zgjedhjeve. Pas shpërthimeve, kryeministri në detyrë i Pakistanit, Anwar ul-Haq Kakar deklaroi:

Çdo përpjekje për të sabotuar paqen dhe sigurinë do të parandalohet!

Ministria e Jashtme konfirmoi se kufijtë me Iranin e Afganistanin janë mbyllur dhe se shërbimet telefonike në zonat kufitare u bllokuan për çështje sigurie.

Mëngjesin e sotëm, gazetarët e Radios Evropa e Lirë në Quetta, kryeqytetin e përfshirë nga dhuna të Baluchistanit, në qytetin më të madh të vendit, Karaçi e në atë veriperëndimor Peshawar, raportuan se votuesit kanë filluar të grumbullohen në numër të madh pas një daljeje jo të lartë në mëngjes herët.

Gati 18 mijë kandidatë po garojnë për vendet në parlamentin kombëtar e gjithashtu për në katër asamble provinciale. Ata do të luftojnë për rreth 266 poste në parlamentin nacional, i cili i ka 70 vende të rezervuara për gratë e pakicat, si dhe për 749 vende në asambletë provinciale.

Khan, i cili ishte kryeministër nga viti 2018 deri më 2022-shin është themelues i PTI-së dhe ende gëzon popullaritet të madh, por ai ndodhet në burg si i dënuar për korrupsion dhe i është ndaluar mbajtja e posteve publike për një dekadë.