Aktualitet

Zgjedhjet në Rrogozhinë, KQZ: Respektoni heshtjen zgjedhore!

Ndërsa sot votohet në Rrogozhinë për të zgjedhur kryetarin e bashkisë, pasi u shpallën të pavlefshme vendoret e 14 Majit të fituara me diferencë të ngushtë votash nga socialisti Edison Memolla, KQZ kërkon të respektohen heshtja zgjedhore e solemniteti i ditës së votimit. Në një deklaratë thuhet:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tërheq vëmendjen e përfaqësuesve politik dhe kandidatëve që të respektojnë heshtjen zgjedhore dhe solemnitetin e ditës së votimit.

Sot është dita e qytetarëve që kanë të drejtën e zgjedhjes dhe deklaratat politike cenojnë standardet e procesit zgjedhor dhe janë në shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor.

Gjithashtu, KQZ tërheq vëmendjen e Komisioneve të Qendrave të Votimit që të respektojnë Kodin Zgjedhor dhe të mos lejojnë persona të paautorizuar në Qendrat e Votimit.

Në QV dhe rreth tyre lejohen vetëm zgjedhësit, vëzhguesit e akredituar dhe stafi teknik i KQZ-së.

Nënkryetarja e KQZ-së, Lealba Pelinku shprehu shqetësimin mbi praninë e personave të paautorizuar pranë qendrave të votimit.

Në katër QV kam vënë re se ka prezencë të personave të paautorizuar që nuk duhet të gjenden aty.

Nga opozita, Oerd Bylykbashi dhe Gent Strazimiri shkuan në Qendrën e Votimit 22-23, ku pati një incident dhe votimi u bllokua për 30 minuta, pasi një çift bashkëshortësh fotografoi votën. Bylykbashi u shpreh:

Nuk është pengim procesi, është vepër penale. Komisioni i Qendrës së Votimit bëri detyrën. Eshtë vepër penale!

I pranishëm ishte dhe deputeti socialist, Etjen Xhafaj. Ndërkaq, kandidati i PS-së, Edison Memolla ftoi qytetarët të marrin pjesë masivisht.

Ftoj qytetarët që të marrin pjesë masivisht e të votojnë kandidatin më të mirë. Nuk rrezikojmë pasi kemi punuar, kemi marrë mesazhin më të mirë herën e parë. Këtë herë po rregullojmë defektet, besoj se pjesëmarrja do të jetë si herën e parë.

Më herët gjatë ditës ishte kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha, i cili bëri thirrje për pjesëmarrje në votimet e sotme në Rrogozhinë. KQZ-ja vendosi ripërsëritjen e votimeve pasi rezultati i 14 Majit u shpall i pavlefshëm. Shkak u bë kutia e burgut dhe diferenca mes dy kandidatëve vetëm 21 vota, ndërsa të burgosur numëroheshin më shumë se 100. Lokalet e 14 Majit u fituan nga Memolla.  Në Rrogozhinë ka shkuar dhe kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.

Kandidatëve dhe përfaqësuesve politikë, Celibashi iu bëri thirrje të shmangin deklarimet me përmbajtje zgjedhore. Lidhur me fotografimin e votës, u shpreh se përbën shkelje të rëndë:

Fotografimi i votës përbën shkelje penale. Do ta adresojmë. Kandidatët të evitojnë deklarimet e tyre me përmbajtje elektorale. E kanë të ndaluar të bëjnë thirrje për t’u votuar. Nuk kanë arsye ligjore që të shkojnë në qendrat e votimit e të vëzhgojnë procesin e votimit. Aty janë vëzhguesit, janë mediat.  Morëm njoftim që në Lekaj kishte grumbullim të personave të paautorizuar. Kjo tashmë është normalizuar.